AktualitetLife StyleTë fundit

Të flesh për respekt: Riti japonez i pushimit në punë

Në Japoni, një gjum i shpejtë në punë jo vetëm që pranohet, por edhe respektohet.
I njohur si Inemuri, që do të thotë “të flesh ndërkohë që je i pranishëm”, ky fenomen kulturor u lejon punonjësve të mbyllin sytë në tryezën e punës apo edhe gjatë mbledhjeve pa frikë ndëshkimi – mjafton të duken të përfshirë dhe të jenë gati të kthehen në vëmendje në çdo moment.

Larg perceptimit si dembelizëm, Inemuri shihet si shenjë përkushtimi; aftësia për të fjetur në publik sugjeron që punonjësi ka punuar deri vonë për suksesin e kompanisë. Kjo praktikë i ka rrënjët në boom-in ekonomik të viteve ’80 në Japoni, kur oraret e gjata dhe angazhimet shoqërore i linin punonjësit të rraskapitur.

Sot, kur Japonia renditet mes vendeve më të privuara nga gjumi në botë, Inemuri shihet si një zgjidhje praktike dhe respektuese ndaj lodhjes kronike.

Megjithatë, ka rregulla të pashkruara: punonjësit më të rinj zakonisht nuk inkurajohen ta praktikojnë, ndërsa ata me pozita më të larta gëzojnë më shumë liri për të fjetur hapur.

Në thelb, Inemuri reflekton një vlerë më të thellë kulturore – pushimi si simbol nderi në një ambient pune kërkues dhe të bazuar në besnikëri.

 

Fraksion.com