Përplasi për vdekje dhe e la në rrugë të moshuarën, kapet 27-vjeçari
Një 27-vjeçar është vënë në pranga nga Policia, pas një aksidenti tragjik që ndodhi pasditen e djeshme në aksin rrugor “Maliq-Korçë”. I riu, i identifikuar si G. M., banues në Dërsnik, Korçë, akuzohet se përplasi për vdekje një 65-vjeçare dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 17:40 të ditës së djeshme. Viktima, shtetasja S. Q., humbi jetën si pasojë e përplasjes, ndërsa drejtuesi i automjetit, në vend që të ndihmonte apo të qëndronte në vendin e aksidentit, u largua.
Shërbimet e Policisë arritën të identifikojnë dhe të ndalojnë autorin. Gjatë kontrolleve, automjeti i përdorur në aksident u gjet i fshehur në garazhin e banesës së tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa ndaj të arrestuarit rëndojnë akuzat për “Largim nga vendi i aksidentit” dhe “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Fraksion.com