Berisha prezanton kandidatët në Elbasan: Më 11 maj merr fund dimri 12-vjeçar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot kandidatët për deputetë të PD – Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Elbasan, në zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se këto zgjedhje do të shënojnë një moment të rëndësishëm për Shqipërinë duke i dhënë fund sipas tij dimrit 12-vjeçar.
“Rikthehem sërish në këtë qytet për të dhënë mesazhin se këtë vit Elbasani dhe mbarë Shqipëria do të kenë një Ditë të dytë Vere dhe kjo do jetë 11 maji. 11 maji do të jetë dita e përfundimit të dimrit më të gjatë 12-vjeçar që përjetuan shqiptarët. 11 maji do jetë dita e pranverës së vërtetë të demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në 12 vitet e Edi Ramës, Elbasani u shkretua më shumë se në çdo pushtim, më shumë se në çdo luftë”, tha Berisha.
Ne vijmë këtu me këtë ekip kandidatësh, vijoi Berisha, që ju kanë shërbyer në të gjitha fushat.
“Dhe fjala ime e nderit është se ky ekip, deputetë në parlamentin shqiptar, është garanti më i fuqishëm për të bërë realitet programin e Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore pikë për pikë”, tha ai.
Më tej ai deklaroi se, qyteti nuk do të jetë më i mafias.
“Deputetët e krahut tjetër politik janë përzierje Ndragheta-Çela. Janë pra kandidatë të krimit qeveritar, të krimit ordiner, të krimit të mafies. Qytetarë të Elbasanit, ja ku jap fjalën e nderit, se bandat kudo ku janë, do shkojnë aty ku e kanë vendin”, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Elbasani, thesoi kreu i PD-së, në këto 12 vite pa ato që nuk i kishte parë ndonjëherë.
“Pa banditët e qeverisë të zvarrisin komisarët; Pa banditë të porosisin vrasjet e avoketërve dhe qytetarëve të tjerë; Pa hienat e krimit të vërsulen mbi vullnetin e qytetarëve për të grabitur votat; Pa gjykatës që porosisnin vrasjen e gazetarëve. Elbasani i bekuar përjetoi shpopullimin më të madh, largimin e dhjetëra-mijëra bijve dhe bijave të saj për të ndërtuar ëndrrën e tyre në dherat e tjera dhe jo në Shqipëri, jo në Elbasan. Gjatë këtyre viteve, taksat tuaja, djersa juaj, mundi juaj, u vodhën. Me këto para, Edi Rama, ministrat e tij, zyrtarët e tij, u shndërruan në sheikët e Shqipërisë”, shtoi Berisha.
Sipas tij, aq sa u pasuruan qeveritarët, aq shumë u varfëruan qytetarët shqiptarë.
“Aq thellë u zhytën në mjerim, në varfëri të skajshme pensionistët shqiptarë. Familjet shqiptare sot, mbi 40% e tyre, nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre siç duhet. 18% e tyre nuk u garantojnë dot dy vakte fëmijëve të vet”, tha kreu i PD-së.
Këta njerëz prej 12 vitesh, vuri theksin Berisha, si shushunja i shkretojnë, i varfërojnë, i mjerojnë shqiptarët.
Berisha tha se Elbasani është dëshmi e njërës prej vjedhjeve më të mëdha të shekullit.
“Ja ku është llamarina që solli Edi Rama me ministrat e tij, jashtë funksioni, nuk ka prodhuar asnjë kilovat-orë që kur është instaluar. Sot mali i plehrave është më i madh se kurrë, sepse paratë përfunduan në llogaritë e Edi Ramës, Gjiknurit dhe ministrave të tij. Kjo ishte vjedhja më e madhe, sepse në Tiranë, djegësi 130 milionë euro, nuk ka asnjë tullë. Po 130 milionë euro janë që të gjitha taksat tuaja, janë mundi dhe djersa juaj. Ata që duhet të vëzhgonin, të kontrollonin ndërtimin, ata mbyllën sytë”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi zv/kryeministren Belinda Balluku se nuk mbikëqyri zhvillimin e projektit që e kishte detyrë.
“Balluku që kishte detyrë shtetërore mbikëqyrjen, nuk bëri qoftë edhe një raport të vetëm, sepse e dinte se 130 milionë euro ndaheshin midis Edi Ramës dhe Erion Veliajt”, tha ai.