AktualitetPolitikëTë fundit

“Ne po ikim pa pasaporta mor piktor”, Rama nuk “ia përton” ironisë së komentuesit

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot një ndjekësi në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’Sy”, i cili shkruante se shqiptarVt po ikin në BE pa pasaporta dhe nuk iu duhet ajo e BE-së.

“Pasaporta evropiane nuk duhet për të ikur se për të ikur ikën dhe me këtë që kemi ke të drejtë. Pasaporta evropiane duhet për të fituar më në fund dinjitetin e qytetarit të barabartë evropian, dinjitetin e udhëtarit evropian, që nuk e nxjerrin anash në çdo hyrje të BE-së, për ta pyetur me polic ku po shkon. Dinjitetin e studentit evropian që kudo ku studion në Evropë, gëzon të drejta të barabarta me studentët që janë lindur dhe rritur në atë vend të Evropës. Dinjitetin e punëmarrësit evropian që kufo ku punon në Evropë gëzon të drejta të barabarta me punëmarrësin e lindur dhe rritur në atë vend të Evropës. Dinjitetin e njeriut të lirë, e njeriut të barabartë që gëzon çdo të drejtë evropiane dhe çdo mundësi të ofruar nga rrjeti i solidaritetit evropian. Pak janë këto”, tha Rama.

“Tani të përçmosh punën e tjetrit është kollaj, por nuk të ndihmon të jetosh më mirë, përkundrazi. Gjyshja ime thoshte “mllefi e keqja e të zot”. Ndërkohënqë unë besoj se po të interesoheshe pak më shumë për BE-në dhe për impaktin e hyrjes në BE mbi vendet dhe mbi qytetarët e popujve që kanë hyrë para nesh në atë familje nuk do t’i bije kaq shkurt dhe as kaq së prapthi”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se, “edhe krijimi i kushteve më të favorshme për të rinjtë që të investojnë në Shqipëri siç kërkon ti me hyrjen në BE bëhet më e lehtë sesa me qēndrimin jashtë BE-së”.

Ndërsa, shtoi Rama “kush e lidh ikjen e njerëzve me qeverisjen tonë, ose është kundërshtar dhe flet mbrapsht që të kapi ça të kapi, ose është shumë i keqkuptuar dhe flet pastaj dhe mbrapsht që të ndihet i mirëkuptuar”.

Por, theksoi Rama, “këtë nuk e ndryshoj dot. Çka mund të ndryshoj dhe ndryshojmë është Shqipëria dhe këtë po e bëjmë. Po e bëjmë përditë, e përditë, e përditë. Prandaj Shqipëria sot nuk ka lidhje fare me atë që ishte. Me të meta, patjetër me të meta. Me gabime s’ka asnjë dyshim. Ama me zemër dhe me përpjekje të pandalshme. Prandaj të ftoj të na bashkohesh dhe ti i dashur Kristi, pavarësisht pengesave që sheh përpara, pavarësisht nëse dikush ose disa mund të të prishin qejfin, për ta thënë kështu. Dhe të bashkohesh jo për mua, po për veten, për Shqipërinë në BE. Ndaj voto 5 Kristi pa u bërë pishman fare”.

“E vetmja gjë me vlerë që mund të bësh tek kutia e votimit më 11 maj është të  më votosh mua dhe PS-në”, theksoi Rama, i cili përsëriti se, “përtej të gjitha vërejtjeve, kritikave, mospëlqimieve që mund të kesh, sepse vetëm unë dhe PS, së bashku me ty dhe së bashku me shumicën e shqiptarëve mund ta bëjmë këtë kapërcim epokal historik për Shqipërinë dhe ta ulim në tryezën e përbashkët të familjes evropiane si e barabartë mes të bafabartëve. Ëndërr e vjetër dhe amanet po kaq i vjetër”, tha Rama.

Fraksion.com