AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Kultura do të ketë ministrinë e saj, dyfishim i buxhetit dhe Teatri Kombëtar siç ishte

Kryetari i Partisë Demokratik Sali Berisha paraqitur sot programin e PD-së për kulturën. Në fjalën e tij kryedemokrati tha se “situata e kulturës shqiptare është më keq se në çdo pushtim që mund të ketë pasur Shqipëria”.

Berisha premtoi se PD do t’i kushtojë një rëndësi parësore artit dhe kulturës si elementë më thelbësorë të identitetit tonë kombëtar.

Berisha garantoi “artistët dhe të gjithë botën e artit dhe të kulturës, se qeveria e ardhshme do të adaptojë një qëndrim totalisht transformues”.

“Së pari, kultura do ketë ministrinë e vet. Kultura është në gjendje e imagjinoni vetë ju. Një ministër antikulture që bën betejë me trashëgiminë, me kulturën e vendit. Pra, do ketë një ministri kulture me misionin më të rëndësishëm të zhvillimit, konsolidimit të mbrojtjes të kulturës kombëtare”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “drejtuesit e institucioneve kulturore do të zgjidhen nga vetë punonjësit”.

“Imagjinoni ju se çfarë batërdie është bërë me drejtimet. Merrni Operën dhe Baletin, sa herë ia ka ndryshuar drejtuesit. Të gjitha në funksion të parave. Arti dhe kultura kanë nevojë urgjente për një transparencë të plotë për të gjitha fondet. Dhe i garantoj se borde që vendosin transparencë të plotë do të funksionojnë menjëherë pas 11 majit”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “meritokracia dhe nxjerrja e këtij sektori jashtë konfliktit të interesit, do të jenë bazë e reformës”.

“Reforma në sistemin e arteve dhe të kulturës duhet të angazhohet në një reformë të thellë të burimeve të financimeve të këtij sektori. Qeveria do të rrisë kontributin, do të dyfishojë buxhetin për kulturën dhe artin”, tha Berisha.

Sipas Berishës, “qeveria do të mundësojë me ligjet më të mira të sponsorizimit kontributin e sektorit privat në sponsorizimin e veprimtarive private, kulturore dhe artistike”.

“Qeveria angazhohet për një bashkëpunim kombëtar. Pra, kultura është çështje e identitetit kombëtar. Qeveria angazhohet të mbështesë artistët dhe njerëzit e kulturës, të letrave, të librit, shqiptarët kudo që ndodhen”, u shpreh Berisha.

“Një transformim rrënjësor i legjislacionit në fushën e artit, kulturës dhe librit”, nënvizoi Berisha.

Berisha u shpreh se do të lehtësohen taksat për librin.

“Ju nuk mund të imagjinoni taksat që janë të vendosura mbi librin, të cilat e largojnë me kilometra librin nga lexuesi për shkak të çmimeve të larta që imponojnë. Rikthimi i detyrueshëm për të gjitha bibliotekat publike për të pasur librat që publikohen të autorëve shqiptarë, por edhe të autorëve të huaj. Një përpjekje e madhe do të bëhet për promovimin e librit, i cili po syrgjynoset. Nuk ka asnjë mbështetje, përkundrazi, ka vetëm barriera të mëdha fiskale dhe të tjera”, tha Berisha.

Berisha shtoi po ashtu se “ne angazhohemi të ndërtojmë Teatrin Kombëtar siç ishte, aty ku ishte”.

Fraksion.com