Shkaktoi përplasjen e 7 makinave në aksin Fier-Vlorë, arrestohet 54-vjeçari. Procedohet dhe një i ri
Policia Rrugore ka arrestuar në flagrancë një nga drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksidentin e ndodhur dje në bypass-in Fier-Vlorë, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht.
Në pranga ka përfunduar shtetasi Sh. K., 54 vjeç, banues në Vlorë, ndërsa ndaj A. B., 20 vjeç, banues në Skrapar, ka nisur procedimi penal. Sipas hetimeve paraprake, automjetet e drejtuara prej tyre u përplasën me pesë mjete të tjera, duke shkaktuar gjashtë të plagosur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
“Në vijim të informacionit të dhënë mbi aksidentin e djeshëm, në bypass-in “Fier-Vlorë”, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. K., 54 vjeç, banues në Vlorë, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. B., 20 vjeç, banues në Skrapar, pasi automjetet e drejtuara prej tyre, u përplasën me 5 automjete të tjera.
Nga aksidenti shkuan në spital gjashtë shtetas, dy prej të cilëve vijojnë në kujdesin e mjekëve, ndërsa katër të tjerët janë larguar në banesa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.”.
Fraksion.com