“PD do të mbështesë prodhimin shqiptar dhe eksportet”. Berisha me fasonët në Durrës: Rikthejmë taksën 10%, energjia elektrike do të jetë 6 lekë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me përfaqësues të sektorit të fasonerisë në Durrës, ku prezantoi programin ekonomik të PD-së për bizneset prodhuese dhe eksportuese.
Berisha theksoi se zgjedhjet e ardhshme janë vendimtare për ekonominë dhe premtoi masa për mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare. Ai akuzoi qeverinë për ndikimin e “narko-euros” në ekonominë vendase, duke argumentuar se rënia e kursit të këmbimit po çon bizneset drejt falimentimit.
“Qeveria do të kompensojë çdo qindarkë të humbur nga rënia e euros për eksportuesit, duke siguruar kushte më të qëndrueshme për ta”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Berisha premtoi një çmim të ulët të energjisë për bizneset, duke deklaruar se “energjia elektrike do të paguhet me 6 lekë”, çka sipas tij do ta bëjë Shqipërinë vendin me energjinë më të lirë për biznesin në Evropë.
“Këto zgjedhje janë para së gjithash për ekonominë. Ne kemi përcaktuar Made in Albania si krenaria kombëtare. Do bëjmë gjithçka të mbështesim prodhimin shqiptar dhe të bëjmë gjithçka për suksesin e sipërmarrësit shqiptar. Të lehtësojmë barrën fiskale, të mbrojmë eksportet. Ju jeni sipërmarrje e eksportit, e kuptoj vështirësinë që ju krijon narko-euroja. Kjo është vështirësi. Ata sjellin kontejnerë me eurot e drogës dhe rrëzojnë euron në Shqipëri. Sipërmarrjet për shkak të rënies dramatike të kursit të këmbimit shkojnë drejt falimentimit. Qeveria do të kompensojë çdo qindarke të kursit të euros për eksportuesit, që do t’i bëjë ata që punojnë në kushte më të sigurta.
Me gërshërët e ligjit ne do u presim rrugën të gjithë dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës për të cilat nuk ka nevojë ekonomia shqitpare. Ekonomia ka nevojë për prodhim. Prodhimi në Shqipëri po bie cdo vit dhe është e dhimbshme sepse shoqërohet me rënien e punësimit. Energjia elektrike do të paguhet me 6 lekë. Shqipëria do ketë çmimin më të lirë të energjisë për biznesin në Evropë. E kemi patur dhe do e rikthejmë. Ne do t’i përmbahemi taksës 10%, për ne ajo është taksa më e drejtë dhe funksionon shumë më mirë”, tha Berisha.
Fraksionm.com