Berisha: Do të favorizojmë bizneset e çelura nga gratë, kredi të buta dhe një vit pa sigurime shoqërore
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim në një biznes fason në Durrës. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se Partia Demokratike do të favorizojë bizneset e çelura nga gratë.
Sipas kryedemokratit, gratë do të favorizohen me kredi të buta si dhe me një vit pa sigurime shoqërore.
“Absolutisht do të ketë stimuj të veçantë për bizneset që dominohen nga gratë. Do të ketë lehtësira qoftë në sigurimet e tyre shoqërore, qoftë në trajnimin e tyre. Sikundër për gratë që hapin biznese, se ne duam të barazojmë gjendjen financiare të burrave dhe grave, dhe në këtë aspekt ne do të favorizojmë bizneset e çelura nga gratë. Do t’i favorizojmë me një vit pa sigurime shoqërore, do t’i favorizojmë me taksa, do t’i favorizojmë me linja të buta krediti”, u shpreh Berisha.
“Pra, ne do kemi një bankë zhvillimi, e cila në përparësitë e saj do të ketë financimin me kredi të buta dhe grante të bizneseve të drejtuara nga gratë dhe të rinjtë”, shtoi Berisha.
Berisha tha po ashtu se “do të vendosim bonuse për fëmijët si shtesë në rrogë”.
“Do ketë bonuse për fëmijët si shtesë në rrogë. Shtesa në rrogë për fëmijën e parë nga qeveria do të jetë 70 euro, për të dytin 60 euro, për fëmijën e tretë, nga lindja gjer në moshën 23-vjeçare, qeveria do të marrë përsipër çdo shpenzim. Ne do të ndjekim politikën e fëmijës së tretë, sepse ne u shkatërruam.
Kjo politikë e fëmijës së tretë i ka shpëtuar kombet në histori. I ka shpëtuar nga zvogëlimi i tyre i madh. Sikundër do të bëjmë gjithçka që fëmijët, djemtë, vajzat, ata që janë larguar në mërgim, ata të kthehen në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha premtoi gjithashtu se “do të ulim çmimin e naftës”.
“Ata që nuk kanë vetura, mund të thonë se ç’na duhet nafta. Çdo njeri paguan në çmimin e naftës. Ata që nuk kanë vetura, e paguajnë në transportin që bëjnë me autobus, e paguajnë në çmimet që blejnë në dyqane. Sepse rritja e çmimit të transportit rrit çmimet e mallrave që blejnë. Ne kemi çmimin më absurd. Nafta vjen në Durrës me anije. Në Kosovë shitet 30-40% më lirë. Këtu shitet 30-40% më shtrenjtë”, tha Berisha.
“Punonjësit me rroga të ulëta 500 euro do të kenë së bashku me pensionistët kartën e konsumatorit. Kjo do të jetë kartë konsumatori, që ju të mund të merrni TVSH-në e të gjitha gjërave bazë që blini nga shteti, kundrejt kuponave që dorëzoni, dhe kjo shkon në 450 euro në vit, shkon përafërsisht sa një rrogë, kurse me pensionin shkon sa dy pensione”, shtoi Berisha.
Fraksion.com