Brukseli mbështet planin e ri të Italisë për Gjadrin
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka reaguar pas deklaratës së Komisionit Europian ku u pohua se marrëveshja e Romës me Tiranën për kampet e refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër janë në përputhje me ligjet e BE-së.
Përmes një videomesazhi të dërguar me rastin e “Samitit të Sigurisë Kufitare” në Londër, organizuar nga kryeministri britanik, Keir Starmer, Meloni ka theksuar se “për Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, siguria kufitare është një prioritet që duhet trajtuar edhe duke ndërtuar zgjidhje inovative si ajo me Shqipërinë: një model i kritikuar fillimisht, por që më pas ka fituar konsensus në rritje”.
Vetë Starmer kërkoi koordinimin e përpjekjeve globale për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe bandat që po përfitojnë nga njerëz të pafajshëm në kërkim të një jete më të mirë.
“Që kur erdha në detyrë mund të njoftoj se kemi kthyer më shumë se 24 mijë njerëz që nuk kanë të drejtë të jenë këtu. Me skemën e Ruandës kjo shifër do të arrihej pas 80 vitesh”, shtoi Keir Starmer.
Sipas qeverisë britanike, numri i njerëzve që mbërrijnë ilegalisht me varka të vogla të vogla në Gadishull është rritur kohët e fundit. Mbi 6600 persona kanë arritur të kalojnë në territorin britanik këtë vit, një shifër 43% më e lartë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
“Ne e dimë se forcimi i kufijve nënkupton bashkëpunimin me të gjitha vendet në anën tjetër të kufijve tanë, jo vetëm ata që janë afër nesh. Ne e dimë gjithashtu se asnjë vend s’mund ta bëjë këtë i vetëm. Prandaj, bashkëpunimi dhe fakti që të gjithë jemi mbledhur këtu është kaq i rëndësishëm. Sot ne do të flasim se si do ti japim një goditje trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Yvette Cooper.
Qeveria ka njoftuar një sërë marrëveshjesh me vende të tjera në një përpjekje për të trajtuar numrin e emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në Mretërinë e Bashkuar.