Rritet numri i ujqërve në Europë
Shtohet numri i ujqërve në Evropë. Sipas statistikave të fundit, përllogaritet shtim i numrit të tyre me rreth 60% gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, duke kaluar kështu nga 12 mijë në 22 mijë ekzemplarë. Vendet që numërojnë më shumë se 1 mijë janë Italia, Bullgaria, Greqia, Polonia, Spanja dhe Rumania.
Studimi është realizuar mbi 34 vende të kontinentit tonë, dhe është publikuar ne revistën shkencore Plos Transformation nga një grup kërkimor ndërkombëtar, me bashkëpunim të disa universiteteve.
Në bazë të të dhënave të mbledhura, mendohet se në Evropë, ujqërit vrasin rreth 56 mijë kafshë shtëpiake në vit, mbi një numër kompleksiv prej 279 milionësh krerë bagëti. Pavarësisht se ky fenomen ndryshon nga vendi ne vend, si pasojë e shumë faktorëve, mesatarisht kafshët që ruajnë bagëtitë janë të rrezikuar rreth 0.02% për t’u vrarë nga ujku.
Dhe dëmshpërblimet për blegtorët mbi këto humbje i kushtojnë vendeve evropiane rreth 17 milionë Euro çdo vit. Humbja e bagëtive, ka qenë një ndër arsyet kryesore të zhdukjes së kopeve të ujqërve, jo vetëm në Evropë, por në mbarë boten, proces që nisi thellësisht në Mesjetë, ku në disa vende u vendos me ligj vrasja e tyre, e më pas intensifikimi u vërejt në vitet ‘70, ku në shumë vende kjo kafshë u zhduk plotësisht.
Ndër vendet që kanë humbje më të mëdha në këtë aspekt janë Italia, Greqia, Spanja, Franca dhe Kroacia, kjo ndoshta për shkak të praktikave të rritjes ndryshe, por edhe sistemet e kompensimit.
Ndërsa përsa i përket sulmeve ndaj njeriut, ato janë ekstremisht të rralla në Evropë, dhe rastet më të shpeshta të raportuara mbërrijnë nga Italia dhe Greqia. Një tjetër fenomen që vërehet dhe del në pah është edhe çiftimi i ujkut me qenin, çka përbën kërcenim për konservimin e species ne zinxhirin e jetës, dhe shtim të kafshëve hibride.
Në studim evidentohet sesi ujku mund të ketë edhe impakt ekonomik pozitiv, pavarësisht se në pikëpamje relative. Në disa vende statistikat tregojnë reduktim te incidenteve rrugore në zonat rurale, apo dhe më pak ulje të dëmeve në plantacionet pyjore, përmes kontrollit që ushtrojnë në popullsitë e kafshëve të tjera si drerët e egër. Megjithatë të dhënat nuk janë të mjaftueshme për të arritur në konkluzione të mirëfillta për të gjitha vendet e Evropës.
Britmat e ujkut, përtej miteve dhe legjendave, i shërbejnë kafshës për të mbledhur tufën familjare, për të transmetuar një rrezik apo komunikuar diçka në distanca të mëdha, duke qenë se hungërimat arrijnë të ndjehen deri 130 kilometra katrorë distancë.
Në literaturën botërore, ky gjahtar zë një pozicion që është në reliev, pasi përrallat e kanë etiketuar si kafshë të rrezikshme, që simbolizon shpesh kopracinë, shkatërrimin, apo edhe shtrigërinë, veçanërisht ne periudhën e Mesjetës, duke ngulitur në imagjinatën njerëzore edhe lidhjen me Hënën e Plotë dhe hungërimat e tij.
Fraksion.com