Rama: Shqipëria, vendi që e ka në dorë fatin e vet
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria është një vend që e ka në dorën e vet fatin e vet dhe nuk është në mëshirën e askujt”.
Në fjalën e tij në takimin me shqiptarët e Athinës, Rama tha se “jemi në gjendje të ndajmë bashkë me ju jo vetëm çfarë kemi bërë për ta ngritur Shqipërinë aty ku s’ka qenë ndonjëherë për ta vendosur Shqipërinë në pikën ku të huajt cilido qofshin afër apo larg nuk na shohin dot më nga lart poshtë, por janë të detyruar të vlerësojnë e respektojnë për atë që jemi”.
“Por nga ana tjetër për ta ngritur Shqipërinë në një pikë ku e ardhmja nuk duket më aq e largët sa dukej dikur, ku ëndrrat e shpresat nuk duken më aq të paarritshme sa dukeshin dikur, ku ndryshe nga vendi që ne gjetëm kur morëm detyrën sot Shqipëria është një vend që e ka në dorën e vet fatin e vet dhe nuk është në mëshirën e askujt dhe nuk është as në mëshirën e asnjë loje tjetër të fatit. Sot fati ynë është në dorën tonë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “kur ne morëm detyrën Shqipëria ishte e zhytur në borxhe kishte një borxh rreth 80% dhe ndërkohë të gjitha punët kishin ndalur, të gjitha shërbimet spitalet nuk kishin më as furnizimin me ilaçe se furnitorët ishin ndalur për shkak të borxheve të panumërta që qeveria nuk i paguante më. Shkollat nuk kishin më as shkumësa se furnitorët ishin ndalur për shkak të borxheve të panumërta që qeveria nuk i paguante më. Të gjitha planet e Shqipërisë së rrugëve kishin mbetur të gjitha rrugëve se ishin prerë shiritat, por nuk ishin vendosur në dispozicion paratë”.
Fraksion.com