Konfliktet në shkolla, shifra alarmante për 2024-ën
Konfliktet mes nxënësve brenda shkollës dhe në afërsi të institucioneve arsimore janë kthyer në një prej shqetësimeve kryesore për Policinë e Shtetit.
Vetëm përgjatë vitit 2024 janë evidentuar me qindra raste që dëshmojnë rritjen e tensioneve mes nxënësve adoleshente.
Në total, numri i konflikteve në shkolla apo pranë tyre është 221. Konfliktet më të mëdha, 193 të tilla, ose 90 % e tyre, rezultojnë mes nxënësve të së njejtës shkollë.
Konfliktet mes nxënësve dhe personave të jashtëm janë 18.
Policia e Shtetit thotë se ka parandaluar 170 raste të tjera dhune, ndërsa oficeret e sigurisë kanë parandaluar 115 të tilla.
Tirana është qarku me problematik, i ndjekur nga Korça dhe Dibra.
“Është e drejtë që shqetësimi i qytetarëve vjen në rritje, pasi problemi është shumë i prekshëm dhe ka të bëjë me një moshë delikate”, Gazmend Shehu, shef i sektorit të rendit.
Llojet e zënkave ku përfshihen nxënësit e moshave nga 12 deri në 16 vjeç, janë të ndara dy kategori, të cilat sipas policisë kanë veçori specifike.
“Konfliktet e hapura dhe të shfaqura si në ambientet e shkollave apo në afërsi të tyre janë më lehtësisht të evidentueshme si nga policia por dhe nga stafet pedagogjike. Ndërkohë problematikat e fshehura, të cilat nuk janë të shfaqura janë ato që mund të mbarten jashtë institucioneve arsimore por dhe brenda, në momente të caktuara ku vëmendja e stafit të shkollës, oficerit të sigurisë apo dhe policisë nuk është në nivelin e duhur”, tha Gazmend Shehu.
Garantimi i një mjedisi të sigurtë për nxënësit si brenda dhe jashtë ambienteve të shkollave, sipas policisë, kërkon dhe angazhimin e strukturave të tjera përtej oficereve të saj, siç janë oficerët e sigurisë.
Por Shqipëria numëron 1 740 shkolla, ndërsa oficerët e sigurisë rezultojnë të jenë vetëm 208.
“Oficeri i sigurisë në shkolla rrit elementët e sigurisë në ambientet shkollore. Nga përfshirja e oficerëve të sigurisë, për vitin 2024 kemi parandalim të incidenteve në 115 raste. Ndërsa nga policia e shtetit janë parandaluar 170 raste. Vlerësimi në kohën e duhur i dinamikave apo problematikave që sjell çdo institucion arsimor, adresimi në kohë, mendojmë se janë çelësi i suksesit”,tha Shehu.
Fraksion.com