Berisha: Misioni ynë të rikthejmë të rinjtë shqiptarë në vendin e tyre
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i pranishëm në tryezën e rrumbullakët me temë “Riktheni të rinjtë shqiptarë përsëri në atdhe”, theksoi angazhimin për një politikë që do të mundësojë rikthimin e të rinjve shqiptarë në vend.
Në aktivitetin e organizuar nga departamenti Brain Gain në PD, dhe në bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Gruas (LDG) dhe Forumin Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Berisha nënvizoi angazhimin e selisë blu në politika për kthimin e shqiptarëve në vendlindje.
“Ne do të jemi të angazhuar ndaj një politike, e cila do të kthejë të rinjtë shqiptarë, kudo që ndodhen dhe punojnë në botë”, deklaroi Berisha. Ai vlerësoi kontributin e të rinjve në fushatë, duke theksuar se dinamizmi i tyre është jetësor për fitoren e PD-së.
Në këtë kontekst, ai nënvizoi se Partia Demokratike ka 58 kandidatë nën moshën 40 vjeç në zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar këtë një tregues të angazhimit për të rinjtë dhe të ardhmen e vendit.
“Ajo që departamenti tregoi, duke punuar si opozitë dhe punoi shumë më mirë për tu afruar pranë të rinjve dhe ka meritën e padiskutueshme që është afruar me të rinjtë. Këta të rinj do të jenë pjesë substanciale e administratës së ardhshme.
Do të jenë pjesë substanciale e qeverisjes tonë dhe ne kemi shumë nevojë për kontributin e të rinjve. Ai kontribut është jetik. Misioni nuk mund të realizohet pa energjinë dhe ëndrrat tuaja. Dhe ëndrrat tuaja do ti japin të ardhmen këtij vendi”, theksoi Berisha.
Duke përmendur shembuj suksesi si Mira Murati dhe Dua Lipa, Berisha u shpreh se të rinjtë shqiptarë kanë arritur majat në arenën ndërkombëtare dhe se synimi i PD-së është të krijojë kushtet për t’i rikthyer ata në Shqipëri.
Ish-kryeministri u shpreh se programi i PD, ka në fokus të rinjtë.
“Ne do mundësojmë kredi të buta për çdo çift të ri, për banesë. E di se çmimet sot janë shumë të larta dhe duket se banesa është mollë e ndaluar, megjithatë ne do të ofrojmë mundësi reale për ju, me mbështetje financiare dhe kredi të buta. Ne do të bëjmë gjithçka që politika e fëmijës së tretë, të jetë mbështetje që për fëmijën e tretë shteti të japë mbështetjen e tij deri në moshën 23 vjeç”, bëri të ditur Berisha.
Sipas tij, “çdo i ri, apo çdo emigrant do të trajtohet pa dallime nëse do të vijë për të investuar në Shqipëri, nuk do të taksohet për 5 vite. Ne do të punojmë që ti rikthejmë në Shqipëri. Kundërshtarët tanë kanë kopjuar programin tonë, por ata janë gënjeshtarë dhe të korruptuar dhe në këtë mënyrë e trajtojnë programin”.
Fraksion.com