AktualitetPolitikëTë fundit

Rama me të rinjtë e FRPD që i janë bashkuar PS: Bashkimi i sa më shumë këndeve, themelor për të mos humbur trenin e BE-së

Në episodin e 12 të sezonit 4 të podkastit “Flasim” kryeministri Edi Rama kishte ftuar sot tre të rinj, Sara Bodo, Klea Lala dhe Knidi Merkaj, pjesë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Vlorë të cilët i janë bashkuar Partisë Socialiste.

Sara Bodo, ish-kryetare e FRPD-së në Vlorë tregoi edhe arsyet se pse ishte larguar nga PD.

“Ka kohë që jam distancuar nga PD për shkak të lidershipit të saj, pashë të njëjtën frymë, gjërat nuk po ndryshonin, erdhën më premtime të tjera dhe vazhdojnë duke mos i respektuar premtimet që kanë bërë në PD. Ne kemi qëndruar për kauzë për të parë një PD më të mirë dhe nuk e pamë atë gjë”, tha Bodo.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se bashkimi i sa më shumë këndeve është themelor për këtë fazë ku ndodhet vendi në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

“Ne duhet patjetër që të kapim këtë trenin e BE-së. Për herë të parë ne na ka buzëqeshur fati. Nuk duhet humbur ky shans dhe prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë duhet ta kapërcejmë këtë. Ka nxjerrë një libër shumë të bukur Tony Blair për lidershipin dhe ka një pjesë shumë të bukur aty që është e vërtetë që thotë se “liderët në fillim dëgjojnë, pastaj nuk dëgjojnë, se mendojnë se i dinë të gjitha dhe pastaj fillojnë prap të dëgjojnë”, unë realisht e kam kaluar këtë trajektore dhe gjëja që kam mësuar është se nëse do të kuptosh tjetrin duhet patjetër të futesh në këpucët e tjetrit. Në këtë sens, besoj se bashkimi i sa më shumë këndeve është fondamental në këtë fazë për ne”, tha Rama.

Duke u ndalur tek procesi i primareve në PD, Knidi Merkaj tha “primaret ishin një goditje, si të thuash, thuajse përfundimtare. Ishte një farsë, shkojnë kandidatë që dalin të parët nuk janë fare në listë”.

Ndërsa Sara Bodo u shpreh “nëse lexohet lista me vëmendje që ka bërë PD është listë opozite, ata janë shumë të qartë se do të jenë të dytët në këtë garë. Nuk ka qenë një listë qytetare, përfaqësuese, është listë që të mbajë dhe të vazhdojnë lidershipin për një kohë shumë të gjatë. PD do të vijë gjithmonë duke u ulur”.

Gjatë bisedës me të rinjtë, Rama u shpreh se “puna e “tradhtarëve” dhe “të shiturve” është histori banale në vendin tonë”, referuar largimit të tyre nga FRPD-ja.

Kreu i qeverisë iu drejtua duke u thënë që “është karakteristikë e partisë suaj “o qëndrestar dhe hero kur je me mua, o tradhtar dhe i shitur kur më del përballë”, është banal”.

“Kjo puna e “tradhtarëve”, “të shiturve”, “të blerëve” është një histori shumë banale në vendin tonë. Dhe me thënë të drejtën është karakteristikë e partisë suaj kjo. Unë besoj se është karakteristikë e partisë suaj për shkak të mendësisë së partisë së madhe, të asaj tjetrës, që vazhdon tek partia juaj nëpërmjet… e dini ju se kujt, sepse nuk dua t’ju fus nëpër situata provokative që “o qëndrestar dhe hero kur je me mua, o tradhtar dhe i shitur kur më del përballë”, është banale, por s’keni çfarë bëni do ta hiqni”, tha Rama.

Fraksion.com