AktualitetPolitikëTë fundit

Rama-emigrantëve: Me pasaportën shqiptare të BE, qytetarë evropianë të barabartë me grekët në Greqi

Me pasaportën shqiptare të BE-së shqiptarët në Greqi do të kenë mundësi të përfitojnë pensionin për punën që kanë bërë në Greqi, si dhe të gjitha shërbimet e tjera që ofrojnë vendet e BE-së.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, gjatë takimit të pasdites së sotme në Xania me shqiptarët e Kretës në Greqi.

Rama tha se, vota e 11 majit bën që Shqipëria deri në 2027-ën të mbylli negociatat me BE-në dhe brenda kësaj dekade të bëhet anëtare me të drejta të plota e barabartë në BE.

“Pyetja e dytë që pret të marrë përgjigje, është pyetja që shumë nga ju shpesh bëni për dokumentet, për të qenë më në fund të njëjtë, të barabartë, pa asnjë dallim, jo vetëm në jetën e përditshme të punës, por edhe në letrat e këtij shteti”, vijoi Kryeministri.

“E pra, sot ne kemi mundësinë e artë që ndërkohë që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë dita ditës një marrëdhënie shumë pozitive me fqinjët tanë këtu në Greqi, të mos presim se deri kur do të bëhen dokumentet për të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu, as të mos presin se deri kur do të përfundojë gjithë negociata për marrëveshjen e pensioneve, që është edhe marrëveshja më e vështirë e pensioneve, prandaj dhe ka mbetur e fundit, por më 11 maj të votojmë të gjithë së bashku aty ku gjendet forca e duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, që atë pasaportën që mund t’ju duhet edhe 10-15 vjet ta merrni nga shteti grek, ta merrni nga shteti shqiptar si pasaportë të Bashkimit Evropian”, tha Rama.

“Kijeni parasysh që pasaporta shqiptare e BE-së, është njësoj, absolutisht njësoj si pasaporta greke e BE-së. Me pasaportën shqiptare të BE-së, ju mund të qëndroni këtu, mund të punoni këtu, mund ta transferoni këtu ҫdo të ardhur nga pensioni atje dhe ndërkohë shteti këtu duhet dhe ju njeh që në momentin që merrni pasaportën pensionin për punën që keni bërë këtu”, u shpreh Rama.

“Me pasaportën shqiptare të BE-së, ju jeni njësoj, jo vetëm në realitetin e përditshëm, por edhe në realitetin e ligjit, qytetar evropianë të barabartë me grekët në Greqi, me italianët në Itali, me spanjollët në Spanjë dhe me të gjithë të tjerët, me të njëjtat liri dhe me të njëjtat të drejta”, u shpreh Rama.

“Dhe pikërisht për këtë arsye, pavarësisht nëse këtu njëri nga ju e ka pasaportën, tjetri i ka dokumentet, po nuk ka akoma pasaportën, tjetri s’ka akoma të gjitha dokumentet. Në momentin që të gjithë bashkë keni pasaportën shqiptare të BE-së, bëheni absolutisht, jo vetëm të barabartë në të gjitha, por edhe po aq sa edhe grekët, sa edhe ҫdo evropian tjetër, subjekt i të gjitha shërbimeve që ky vend dhe ҫdo vend tjetër i BE-së i jep shtetasve të vet”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se të gjithë prindërit që kanë fëmijët e vegjël dhe presin t’i ҫojnë një ditë në Universitet “në momentin që kanë pasaportën evropianë të Shqipërisë, nuk kanë nevojë për pasaportën greke që fëmijët t’i ҫojnë në ҫdo lloj universiteti në Greqi apo kudoqoftë dhe të jenë njësoj si fëmijët grekë apo fëmijët e tjerë studentë evropianë të të njëjtit vend, jo studentë të huaj në Evropë siҫ janë deri tani”.

Prandaj, shtoi Rama, “për sa i përket jetës suaj këtu, për sa i përket të ardhmes suaj këtu, për sa i përket të gjitha andrallave dhe peripecive që keni kaluar, apo që mund të keni akoma me shtetin për gjithëfarëlloj arsyesh burokratike ka vetëm një përgjigje shumë të thjeshtë, është në dorën tuaj, është vota e 11 majit, që bën që Shqipëria deri në 2027-ën të mbylli negociatat me BE-në dhe brenda kësaj dekade të bëhet anëtare me të drejta të plota e barabartë në BE”.

Fraksion.com