AktualitetPolitikëTë fundit

Transformimi i Parkut Metalurgjik, Rama: Elbasani, epiqendër e inovacionit dhe zhvillimit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se transformimi i Parkut Metalurgjik nga një trashëgimi industriale në një hapësirë të gjelbër, do të hapë perspektiva të reja për Elbasanin.

Gjatë prezantimit të këtij projekti, Rama tha se “kjo do e kthejë në epiqendër të inovacionit dhe zhvillimit, si një qendër e energjisë së pastër, prodhimit të avancuar dhe teknologjisë së qëndrueshme”.

Rama theksoi se “qëllimi është të hyjmë në një fazë të re në transformimin e territorit të Kombinatit Metalurgjik në një park kombëtar industrial, i cili ka një potencial të jashtëzakonshëm”.

Kryeministri shtoi se për këtë gjë duam të mbështetemi tek një aleancë me të gjithë bizneset e pranishme, jo vetëm për të stimuluar më tutje zgjerimin e tyre, por edhe për të ndërtuar një koncept të ri në administrimin e jetës së përditshme të gjithë këtij territori.

“Ne kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm arkitektësh të huaj, ndër më të mirët që gjenden sot, dhe arkitektë vendas për të përcaktuar drejtimin e masterplanit. Këtu territori është i madh dhe ka vend për të imagjinuar shumë gjëra. Ideja themelore duhet tët jetë që ky park duhet të jetë një destinacion për të gjithë dhe duhet të bëhet praktikisht së bashku me Automotarkun pika që do të bashkojë Tiranën dhe Elbasanin”, tha Rama.

Sipas kryeministrit kjo do ta bëjë Elbasanin pjesë të metropopolit të Shqipërisë në dekadat e ardhshme.

“Jo vetëm Tirana me Durrësin, por edhe Tirana me Dibrën, apo Tirana me Elbasanin, duke pasur parasysh transformimet e infrastrukturës dhe shkurtimet e distancave janë faktikisht tre gjymtyrë të kryeqytetit”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com