Presidenti sllovak Pellegrini: Sllovakia, aleate e Shqipërisë në integrimin në BE
Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini vizitoi sot për herë të parë Shqipërinë.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, Pellegrini deklaroi se, Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
“Ne kemi marrëdhënie të sinqerta për mbrojtjen të cilat janë të lidhura me lidhjet tona të forta në anëtarësinë tonë në Aleancën Atlantike”.
Sa i përket marrëdhënieve bilaterale, Pellegrini u shpreh se, “pres të rrisim këto numra. Megjithëse po rriten nuk po arrijmë akoma potencialin e mundur”.
Mendoj se për shkak të kësaj vizite dhe vizitave të mëparshme në nivel politik dhe biznesi do të shtojmë dhe fuqizojmë bashkëpunimin tonë.
Po vazhdojmë të bashkëpunojmë me bursat e shqiptarëve në Sllovaki dhe besoj se do të ketë një rritje të këtyre bursave edhe në të ardhmen.
Duke folur për turizmin, Pellegrini u shpreh se, “natyrisht ne jemi të kënaqur që Shqipëria për turistët sllovak po kthehet në një destinacion të ri, për të cilin ka numra të konsiderueshëm, që po fillojnë të udhëtojnë dhe shifrat në fakt po rriten vit pas viti dhe jemi të kënaqur që sllovakët e kanë zbuluar këtë qoshe të bukur të botës, pra Shqipërinë tuaj”, tha ai.
Për zgjerimin e BE-së, Pellegrini u shpreh se, “pa zgjerim të BE-së, pra duke përfshirë Ballkanin perëndimor duke përfshirë dhe Shqipërinë, atëherë projekti evropian nuk ka për të qenë i plotë”.
“Republika e Sllovakisë do të jetë një aleate e përhershme e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit dhe është një avokate e fortë dhe mbështetëse për Shqipërinë në procesin e integrimit”, tha ai.
Pellegrini theksoi se, “Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne e vlerësojmë progresin e madh që ka bërë Shqipëria, reformat, gjithçka që keni bërë në vendin tuaj duke përmirësuar gjërat me kalimin e viteve”.
“Do të ishte koha e duhur që ta realizojmë këtë premtim sepse vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë merituar që të jenë anëtar të denjë të BE-së”, tha ai.
“Ne nuk duhet të humbim mbështetjen e popullit shqiptar për projektin evropian”, tha Pellegrini teksa shtoi se, Sllovakia mbështet hapjen e të gjitha kapitujve në 2025-ën mbështet synimin e Shqipërisë për t’u bërë vend anëtar në vitin 2030.
Fraksion.com