AktualitetPolitikë

Këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës letër KE: Po cenohet autonomia e pushtetit vendor

Grupi i Këshilltarëve Bashkiakë të Opozitës në Bashkinë e Tiranës me anë të një letre drejtuar Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, kanë ngritur shqetësimin se është cenuar autonomia e pushtetit vendor, si dhe u margjinalizuar roli i Këshillit Bashkiak, duke u shmangur nga vendimmarrja.

Në letrën dërguar KE, publikuar nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike lexohet se: “Ne, grupi i këshilltarëve bashkiakë të opozitës në Bashkinë Tiranë, dëshirojmë t’ju informojmë mbi një situatë tejet shqetësuese që po ndodh në qeverisjen vendore në Tiranë dhe që bie në kundërshtim me parimet themelore të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore”, lexohet në letër.

“Pas vendimit të gjykatës për arrestimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kemi vërejtur një ndërhyrje të paprecedentë dhe të paligjshme nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në punët administrative dhe vendimmarrjen e Bashkisë Tiranë. Në vend që Këshilli Bashkiak dhe institucionet e qeverisjes vendore të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, bashkia është vënë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të ekzekutivit qendror”, vijon shkresa.

Në letrën e tyre Këshilltarët e Opozitës bëjnë me dije se përpos kësaj, “ka shenja të qarta se ky kontroll i paligjshëm mbi Bashkinë Tiranë po përdoret për përfitime politike dhe ekonomike, duke përfshirë dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë të dyshimtë dhe instrumentalizimin e administratës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2024”, shkruhet në letër.

Grupi i Këshilltarëve të Opozitës në Bashkinë Tiranë i bën thirrje institucioneve ligjzbatuese të vijojnë hetimet për çdo rast korrupsioni dhe intimidimi të administratës.   “Autonomia vendore dhe sundimi i ligjit janë themeli i një demokracie funksionale. Ndaj, kërkojmë nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës që të shqyrtojë këtë situatë dhe të ndërmarrë hapa për mbrojtjen e standardeve demokratike në nivel vendor në Shqipëri. Me respekt,Grupi i Këshilltarëve Bashkiakë të Opozitës në Bashkinë Tiranë”, përfundon shkresa.

Fraksion.com