Zelensky apelon për “qëndrueshmëri”, teksa liderët takohen për “koalicionin e vullnetit”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje partnerëve të Ukrainës të jenë “të paktën, po aq të qëndrueshëm sa jemi ne” përballë kushteve të vendosura nga Rusia për zbatimin e marrëveshjes për armëpushim në Detin e Zi.
Zelensky, i cili foli me gazetarët në Paris para samitit të rëndësishëm të mbrojtjes për formimin e një “koalicioni të vullnetit”, që nis më 27 mars, tha se ai ishte pajtuar që të vazhdonte bisedimet për armëpushim në Arabinë Saudite për të siguruar rinisjen e ndihmës amerikane dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës.
Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet prodhuan një marrëveshje “për zhvillimin e masave për zbatimin” e zotimeve të fundit për të ndalur sulmet ndaj ndërtesave të energjisë dhe një armëpushim në Detin e Zi.
“Ne e kemi shfaqur qëndrueshmërinë tonë. Tani është e rëndësishme që edhe partnerët tanë të jenë po aq të qëndrueshëm sa ne, edhe pse ata kanë më shumë kapacitete”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas i bëri këto deklarata teksa u takua me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në Paris para nisjes së samitit të mbrojtjes për “koalicionin e vullnetit”.
Në mes të një stuhie diplomatike, të udhëhequr nga SHBA-ja për dhënien fund të luftës në Ukrainë, udhëheqësit evropianë po bëjnë përpjekje që të sigurojnë një ulëse në tavolinën e negociatave, por deri më tani janë mbajtur jashtë rundeve të bisedimeve që kanë përfshirë Moskën, Kievin dhe Uashingtonin.
Macroni tha se krijimi i një force evropiane të sigurisë do të diskutohet gjatë samitit të 27 marsit, por ai theksoi se ajo nuk do të ishte në vijën e frontit dhe nuk do të kishte për detyrë monitorimin apo zbatimin e një armëpushimi – një detyrë që ai sugjeroi se bie mbi paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.
Ai tha se kjo forcë do të dislokohej brenda Ukrainës për të parandaluar Rusinë dhe për të ofruar trajnime e mbështetje për forcat ukrainase.
“Ne duhet të vazhdojmë që të ofrojmë mbështetje të menjëhershme për Ukrainën. Është e rëndësishme që të vazhdohet rezistenca”, tha Macron pasi njoftoi për paketën e ri të ndihmës.
Nisma për krijimin e koalicionit fillimisht u prezantua nga kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë samitit të 2 marsit të mbajtur në Londër, kur udhëheqësit evropianë dhe botërorë diskutuan për mbështetjen për Kievin, dhe takimi i ri do të mbledhë rreth vetes edhe Gjermaninë, Poloninë, Britaninë dhe anëtarë të tjerë të koalicionit që janë zotuar për mbështetjen e Ukrainës.
Mbi 30 shtete që janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në një forcë paqeruajtëse të koalicionit.
Macron e ka akuzuar Rusinë se po shfaq “dëshirë për luftë” dhe ka insistuar se Moska duhet të pranojë propozimin amerikan për armëpushim 30-ditor “pa asnjë parakusht”.
Ndërkaq, duke folur për gazetarët gjatë një vizite në Xhamajka, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni do të vlerësojë kushtet e Moskës.
“Ne do t’i vlerësojmë ato. Disa nga kushtet përfshijnë sanksionet që nuk janë tonat, ato janë të BE-së”, tha Rubio më 26 mars.
Megjithatë, Macron tha se Parisi nuk do të heqë sanksionet sepse “është shumë herët për një gjë të tillë”.
Këto deklarata u bënë në ditën e njëjtë që BE-ja përmes një njoftimi tha se tërheqja “pa kushte” e forcave ruse nga e mbarë Ukraina mbetet një nga kushtet kryesore për lehtësimin e sanksioneve që Brukseli ka vendosur ndaj Moskës.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjatë një interviste për Fox News më 26 mars deklaroi se beson që Trumpi “nuk do të hezitojë t’i ashpërojë sanksionet nëse kjo gjë i jep avantazh në negociata”.
Ai tha se lehtësimi apo ashpërsimi i sanksioneve do të varen nga veprimet që do të ndërmarrë udhëheqja ruse./rel
Fraksion.com