AktualitetPolitikëTë fundit

“Të gjithë duhet ta dinë”, Rama: TikTok-u në smartphone është mbyllur, me VPN rrezikohet hakërrimi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, procedura për mbylljen e TikTok-ut ka përfunduar për telefonat smart.

Në rubrikën “Sy m’ sy”, ku i përgjigjet live pyetjeve të adresuara në platformat sociale, Rama u shpreh se, “të gjithë duhet ta dinë se mënyra për t’iu shmangur bllokimit duke përdorur të ashtuquajturat VPN falas është shumë e rrezikshme, pasi dihet botërisht se përmes VPN-ve falas hakerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit”.

“Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTok ca kohë deri kur të përfundojmë edhe programin e përbashkët me kompaninë TikTok, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri dhe do të paraqesë planin e rritjes së sigurisë për fëmijët dhe adoleshentët, në mënyrë që të gjithë të jemi të lumtur, edhe kompania, edhe prindërit, edhe fëmijët, edhe mësuesit, edhe ne”, tha Rama.

“Po e përsëris dhe një herë TikTok-u në smartphone është mbyllur, e kam informacion dhe e kam si këshillë, sugjerim për të gjithë ata që sdo të dëgjojnë fjalën VPN falas, mos i hyni asaj rruge se VPN falas janë hapja e shtegut për të humbur të dhënat që keni në telefon sepse hakerat janë aty gati tua gllabërojnë të dhënat e telefonit dhe i them të gjithë prindërve, kujdes me telefonat sepse nëqoftëse fëmijët iu fusin VPN në telefon, iu morën në qafë. Kujdes me telefonat dhe TikTok-u me VPN është hapje e rrugës për hakërrim. Ok? Falas, falas dhe pastaj është një dardhë që e ka bishtin prapa shumë të madh, shumë të gjatë”, nënvizoi Rama.

 

Fraksion.com