Shkallëzim i ri: Trump rrit doganën për automjetet
Trump premton, se tarifat shtesë jo vetëm që do të gjenerojnë miliarda dollarë të ardhura shtesë për SHBA-në – para të mjaftueshme për të ulur taksat dhe për të shlyer malin e borxhit, sipas tij. Edhe industria vendase e automjeteve do të bëhet sërish e madhe, sepse për të shmangur tarifat, prodhuesit e makinave në të ardhmen do të prodhojnë tërësisht në SHBA, beson Trump. “Kjo është shumë emocionuese. Dhe do të çojë në ndërtimin e fabrikave të reja të makinave. Shifra siç nuk i kemi parë kurrë. Edhe për sa i përket vendeve të punës”, tha Trump. Por ai gjithashtu pranon: “E gjitha do të marrë pak kohë.”
Nga tarifat shtesë do të preket edhe SHBA
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se llogaria e Trump mund të mos funksionojë. Sipas tyre çmimet e makinave për konsumatorët amerikanë fillimisht do të rriten masivisht. Edhe për markat amerikane. Pasi edhe automjetet amerikane gjithashtu përbëhen kryesisht nga komponentë që janë ndërtuar në Meksikë ose Kanada. Në qytetin e makinave të Detroitit, biznesi i shitjeve u shpreh me frikë, se konsumatorët do të shtyjnë blerjen e tyre të ardhshme të makinës. “Ajo që na shqetëson është se makinat tashmë kushtojnë mesatarisht 49,000 dollarë – pothuajse si kurrë më parë”, citon Glenn Stevens, portali i ARD, “tagesschau”. Ai është kreu i MichAuto, shoqata e industrisë së automobilëve në Michigan. “Edhe rritjet e vogla të çmimeve mund të ndikojnë në kërkesë. Dhe kjo gjithashtu ka një ndikim në zinxhirët e furnizimit, kostot e prodhimit dhe ndoshta edhe kostot e vendeve të punës.”
Vendosja e tarifave të automjeteve shihet si një përshkallëzim i mëtejshëm nga partnerët e SHBA. Kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney, për shembull, flet për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vendit të tij – dhe kërcënon me kundërtarifa. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen shpreh keqardhje për vendimin e Trump dhe dëshiron të vazhdojë të punojë për një zgjidhje të negociuar./DW
Fraksion.com