“Çdo adresë tjetër nuk të çon në BE”, Rama: Vota për PS, garante për drejtësinë e re dhe anëtarësimin në BE
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, reforma në drejtësi është bëma më e madhe dhe më historike e Partisë Socialiste.
Në rubrikën “Sy m’ sy”, ku i përgjigjet live pyetjeve të adresuara në platformat sociale, Rama u shpreh se, “nëse ka një betejë madhore të përditshme, më e vështira nga të tëra, se po të mos ishte më e vështira do e kishin bërë të tjerët më përpara, që askush më parë nuk e ka marrë përsipër është pikërisht beteja për drejtësi”.
Dhe, shtoi Rama, “nëse ka sot një moment në historinë tonë ku faktikisht barazia para ligjit po synohet, jo me llafe po me vepra është ky moment”.
Dhe ky moment, theksoi Rama, “ka ardhur si rezultat i kësaj beteje. Sepse qysh prej 1912-ës, kur Shqipëria u pavarësua nga Perandoria dhe krijoi shtetin e vetë të pavarur dhe qeverinë e vetë të parë, deri kur ne bëmë reformën në drejtësi, shpata e ndëshkimit që në një vend normal, në një vend me barazi para ligjit është në dorën e zonjës drejtësi, ishte në këtë zyrë. E kishin trashëguar njëri pas tjetrit të gjithë të parët e kësaj pune, qofshin në Mbretëri, qofshin në diktaturë, qofshin në demokraturë dhe ajo shpatë edhe në kohën e lirisë pas rënies së komunizmit goditi me urdhër nga këtu, nga maja e piramidës kryetarin e opozitës Fatos Nanon, i cili është dhe i burgosuri i fundit politik në historinë e Shqipërisë”.
Kështu që, vijoi Rama, “lufta për drejtësi dhe për shtet të së drejtës nuk është një luftë e thjeshtë, është një luftë shumë e vështirë dhe nuk është një luftë e shkurtër është një luftë e gjatë, por ama kthesa është e dukshme, është e prekshme, është konkrete dhe është po ashtu e vlerësuar lart edhe nga BE, edhe nga familja e madhe të cilës ne duam t’i bashkohemi dhe me të cilën nuk bashkohemi dot nëse nuk tregojmë se kemi barazi para ligjit”.
“Kjo është bëma më e madhe dhe më historike e Partisë Socialiste të Shqipërisë. E forcës që qeveris vendin pikërisht prej 2013-ës dhe që udhëhiqet nga unë me vendosmërinë më të madhe që drejtësia të bëjë drejtësi dhe që ky proces që ka prodhuar të mos kthehet mbrapa”, tha Rama.
Prandaj u shpreh Rama, “më 11 maj duhet të votosh me patjetër PS-në dhe mua dhe pastaj në listë cilindo apo cilëndo që dëshiron ke dhe një preferencë. Duhet të votosh me patjetër për arsyen qoftë dhe të vetme që barazia para ligjit të mos vihet më në diskutim dhe se çfarë është nisur të mos përmbyset e të mos kthehemi prapë aty ku ishim, në llumin e një drejtësie pazarxhish, e një drejtësie që vetëm drejtësi nuk ishte dhe vetëm drejtësi nuk bënte”.
“Pse do të thuash ti ne duke votuar për PS-në do ta garantojmë këtë gjë? Pikërisht sepse duke votuar për PS-në më 11 maj edhe pa qenë socialist fare po thjesht për ta përdorur PS-në si një mjet për të arritur një qëllim shumë të madh që është futja e Shqipërisë në BE ne do futemi në BE”, nënvizoi Rama.
“Çdo adresë tjetër nuk të çon në BE, të çon mbrapa. Ky është fakt i thjeshtë fare dhe këtë gjë po përpiqem të shpjegoj përditë e përditë e përditë”, theksoi Rama.
“Unë e kuptoj që ka akoma gjëra që janë problem dhe unë e kuptoj edhe që kjo drejtësia e re ka lajthitjet e veta, por është krejt normale, është krejt normale. Rëndësi ka që drejtimi është i duhur, që kthesa po ndodh dhe që vullneti është i plotë, qoftë nga ana e institucioneve të reja të drejtësisë, qoftë nga ana jonë në mbështetje të plotë të tyre”, tha Rama.
Fraksion.com