Arrestohet në Vlorë i dënuari me 8 vite burg në Itali
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale finalizoi operacionin e koduar “Operacionalja 35”, për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit për mediet, të Policisë së Shtetit, “ky person i dënuar nga Gjykata e Breshias në Itali, me tetë vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike është kapur në Vlorë dhe arrestuar me qëllim ekstradimin”.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas shkëmbimit të informacionit me homologët e Policisë italiane, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 35”.
Gjatë operacionit, është kapur në Vlorë dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Arjan Rrokaj, 40 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Breshias, Itali, e ka dënuar me 8 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
Fraksion.com