Shkarkim zyrtar: Qeveria e Scholz-it tani vetëm qeveri në detyrë
Dështimi i koalicionit trepartiak për buxhetin
Reagimi i qeverisë ndaj pushtimit rus të Ukrainës në veçanti ishte “një akt i fuqishëm”, u shpreh presidenti gjerman. Qeveria arriti të përmirësonte aftësinë mbrojtëse të Gjermanisë në plan afatmesëm me ndihmën e një fondi të posaçëm dhe bëri gjithçka për të siguruar furnizimin me energji në dimrin e parë të luftës. Së bashku me landet dhe komunat, ata bënë të mundur pranimin e refugjatëve të shumtë të luftës. “Kjo arritje e qeverisë suaj federale meriton respekt”, tha Steinmeier dhe i bëri thirrje Bundestagut të ri që “të debatojnë me njëri-tjetrin me respekt dhe në mënyrë konstruktive”.
Koalicioni trepartiak i SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së u prish në fillim të nëntorit 2024 për shkak të mosmarrëveshjes për buxhetin. Scholz shkarkoi ministrin e Financave të FDP, Christian Lindner në atë kohë. Liberalët më pas u larguan nga koalicioni, vetëm ministri i Transportit Volker Wissing mbeti në qeveri si jopartiak. Gjermania kaloi në zgjedhje të parakohshme më 23 shkurt.
Është ende e paqartë se kur do të ketë një qeveri të re në Gjermani. Nëse bisedimet e koalicionit zhvillohen me sukses, Friedrich Merz dhe kabineti i tij mund të marrin certifikatat e emërimit në Pallatin Bellevue përpara Pashkëve./DW
Fraksion.com