Rama: Në maj nis faza e re për formalizimin e sektorit të hotelerisë
Kryeministri Edi Rama, bëri të ditur sot se duke nisur nga muaji maj i këtij viti do të fillojë të zbatohet faza e re për formalizimin e strukturave hoteliere.
Gjatë një takimi në Shkodër me sipërmarrës të rinj të kthyer nga emigracioni, Rama u ndal te problematikat që ndeshen me formalizimin e sektorit të hoteleri-turizmit.
Duke folur për strukturat e regjistruara në platformën Airbnb, Rama tha se “e kemi lënë të relaksuar këtë, sepse akoma nuk jemi në fazën që të kemi një kapacitet të mjaftueshëm apo konkurrues për Airbnb”.
“Nuk është akoma faza kur ato të cenojnë hotelerinë, se ne nuk e kemi kapacitetin e hotelerisë të atillë që të përballojë xhiro-kërkesë. Së dyti, kemi lënë që njerëzit të mund të fitojnë ca lekë, mos të fillojë historia me inspektorë e kontrolle deri në shtëpi”, tha Rama.
Ndërkohë, Kryeministri theksoi se këtë vit fillojmë fazën e re për formalizimin e hotelerisë.
“Ju e dini shumë mirë se ju nuk i deklaroni siç duhet të gjitha ato që fitoni. Pra në deklarimin e shtretërve të gjitha hotelet nuk thonë të vërtetën, një pjesë nuk e thonë. Dhe kjo nuk është se ndodh në Shqipëri për herë të parë, por e kanë kaluar të gjitha vendet.
“Ne kemi TVSH-në më të ulët në Europë dhe rajon, e kemi 6% TVSH-në e hoteleve dhe e kemi bërë qëllimisht për t’i dhënë mundësi hoteleve që të fitojnë në atë fazën e parë, por edhe për të formalizuar dhe për të fituar. Ju keni fituar, por për të formalizuar akoma jeni larg”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se këtë vit, duke filluar nga muaji maj është një program që sipas dëshirës, kush nuk do asnjë kontroll apo inspektor, asnjë problem dhe dhimbje koke me histori kontrollesh tatimore, duhet të bjerë dakord të bëjë një marrëveshje me tatimet dhe të paguajë 65% nga maji në shtator, pra sikur e ka të zënë 65% të kapaciteteve, ndërkohë që të paktën për periudhën qershor-korrik-gusht ju në fakt e keni 100% të zënë”, tha Rama.
Ndërkohë, Kryeministri theksoi se për periudhën tjetër do të deklarohen 30% e kapaciteteve të zëna.
“Kjo bën një lloj balance. Kështu edhe ju keni rezervë, por edhe shteti fillon e merr atë që i takon pak nga pak, hap pas hapi. Paralelisht me këtë, vitin e ardhshëm po punojmë për një zgjidhje dixhitale që pastaj do të fillojë të përfshijë edhe Airbnb. Spanja dhe Kroacia kanë pasur një problem shumë të madh. Do të fillojmë edhe me Airbnb por hap pas hapi. Mos t’i shtrëngojmë njerëzit që tani. Kontrollet janë të pakëndshme për një mijë e një arsye, më mirë bën marrëveshje se sa të vijnë të të kontrollojnë”, theksoi Rama.
Fraksion.com