Rama: Me anëtarësimin në BE Shqipëria do të ketë dy buxhete, 10-fish më shumë mbështetje financiare
Kryeministri, Edi Rama zhvilloi sot në Shirokë një takim me kandidatët për deputetë të PS në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Shkodrës.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, me anëtarësimin në BE Shqipëria nuk do të ketë një buxhet do të ketë dy buxhete.
“Të gjithë ju, ashtu si të gjithë deputetët e PS-së të jenë të fokusuar tek kryefjala e kësaj fushate, tek kryefjala e 11 majit që është Shqipëria në bashkimin Evropian”, iu drejtua Rama kandidatëve për deputetë në Shkodër.
“Me Shqipërinë në BE edhe në nivelin e qeverisjes vendore dhe të mundësive për pushtetin vendor gjërat do të ndryshojnë katërcipërisht sepse praktikisht me anëtarësimin në BE, Shqipëria nuk do të ketë një buxhet do të ketë dy buxhete, siç ka ndodhur me të gjitha vendet që janë futur në BE. Njëri buxhet nga taksat e atyre që banojnë dhe që punojnë në Shqipëri dhe një buxhet nga familja e përbashkët evropiane, i cili është shumë domethënës për ne. Ka qenë jashtëzakonisht domethënës për të gjitha vendet që kanë hyrë në BE. Falë atij buxheti ekstra ato kanë bërë kapërcimin historik nga vende të mbetura mbrapa në shumë aspekte ish-komuniste në vende evropiane, shtete të BE-së”, tha Rama.
Rama solli shembullin që në gjithë këto vite ne kemi marrë mbështetje nga BE diçka më shumë se 1 miliardë euro. Me hyrjen në BE çdo vit ne do të marrim 1 miliardë euro. Domethënë praktikisht është një 10-fishim.
Për bujqësinë, Rama u shpreh se, “ne në gjithë këto vite kemi marrë nga BE më pak se 200 milionë euro mbështetje në total, shumë më pak se 200 milionë euro. Me hyrjen në BE do të marrim 300 milionë euro në vit që do t’i shkojnë fshatit drejtpërdrejt”.
“Në momentin kur je përpara kësaj mundësie çfarë diskutimi është për këtë të votoj dhe pse çdo lloj devijimi i votës në një drejtim tjetër këtë mundësi e vë në rrezik sepse ne jemi duke negociuar anëtarësimin”, tha Rama.
Rama u shpreh se Shqipëria negocion çdo ditë me BE-në
“Tani ne jemi këtu duke folur për këtë punën tonë, në Tiranë janë 1 mijë veta që janë nëpër zyra që punojnë me negociatat, çdo ditë, çdo ditë dhe bëhet fjalë për qindra mijëra faqe punë, ligje, vendime, rregulla që duhen transferuar në organizmin tonë legjislativ dhe rregullator. Qindra mijëra faqe”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kjo thekoi Rama, “do të thotë që nuk ka asnjë minutë për të humbur dhe afati i dakordësuar me ta është fundi i 2027-ës. Ne i kemi nisur negociatat vjet dhe në fund të 2027-ës na është hapur kjo derë që t’i mbyllim dhe të futemi në BE. Bashkë me Malin e Zi. Mali i Zi, që i ka nisur në 2012-ën”.
“Vetëm kaq mjafton për të kuptuar që është një mundësi e artë që na është krijuar tani për arsye jo vetëm tonat që ne kemi bërë detyrat por për arsye të gjeopolitikës dhe të situatës së përgjithshme ku BE kërkon të shtojë radhët e veta dhe do t’i japë një mesazh botës që ne po zgjerohemi dhe po rritemi në numër dhe do të unifikojë gjithë perimetrin e vet të Evropës në kufi me Rusinë sepse ndryshe jemi të kërcënuar”, tha Rama.
Fraksion.com