“Paketa e Maleve”, Rama: Regjistrimi i pronës kur përfundon investimi, 500 përfituesit e parë 10 vjet pa taksë
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Shkodër ligjin e ri të sapomiratuar “Paketa e Maleve”, i cili i hap rrugë investimeve në agroturizëm e turizëm malor.
Ky ligj i jep mundësi reale, e mbështetje të posaçme, të gjithë tyre që duan të rikthehen në tokat e të parëve për të bërë sukses ekonomik për familjen e tyre.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se, 500 përfituesit e parë nga ky ligj do të jenë 10 vjet pa asnjë taksë.
Rama shtoi gjithashtu se, çdo posedues faktik mund të regjistrojë pronën në momentin kur përfundon investimi.
“Logjika e kësaj pakete është që faktikisht pronarëve që quhen posedues faktik, se poseduesit faktik kemi parasysh pronarët, nuk kemi parasysh zaptuesit, të jemi shumë të qartë. Poseduesit faktikë që nuk kanë letrat, dokumentet e pronësisë të regjistruar janë shumë dhe janë të dëshiruar që të investojnë dhe janë shumë në të gjithë zonën e veriut, po ka plot edhe në jug, ka plot dhe në territore të thella edhe në Shqipërinë e Mesme”, tha Rama.
Por nga ana tjetër, shtoi Rama, “ajo që është e padiskutueshme është që nuk ka një pikë të Shqipërisë, nuk ka një 100 metërsh katrorë në Shqipëri, kudo qoftë që të vësh gishtin edhe në fund të botës kur i thonë fjalës ku të mos jetë e mundur që të bësh sukses nëpërmjet pikërisht agroturizmit. Ku të mos jetë e mundur që të hapësh një derë dhe të sjellësh njerëz tek ajo derë, pavarësisht infrastrukturës madje për të shijuar çfarë ti ofron, çfarë natyra aty ofron, çfarë tradita aty ofron”.
“Sot ne mund të flasim bazuar në shembuj. Sot ne nuk flasim më siç flisnim në fillim kur vumë gurët e themelit të kësaj industrie, të kësaj dege të industrisë së turizmit që nuk ekzistonte fare në Shqipëri, ishte inekzistente. Sot kemi shembuj plot”.
“Kemi shembuj ekstrem siç është edhe shembulli i Marjanës, “Neomalësores” që është një shembull ekstrem sesi në një pikë ku normalisht asgjë nuk të thotë rri, mund të rrish dhe mund të bësh sukses dhe mund të bësh sukses, jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar me konceptin edhe me dedikimin që ke”, tha Rama.
“Ideja është që cilidoqoftë që e ka pronën dhe që nuk ka sherr me kufitarët mund të marrë nga këshilli bashkiak një vërtetim që po, ky ose këta, kjo familje ose ky grup familjesh, nuk ka rëndësi, zotërojnë këtë pronë dhe me këtë vërtetim nga këshilli bashkiak është e mjaftueshme për të disponuar një leje zhvillimore dhe mbi bazën pastaj e asaj leje zhvillimore për të lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë duke paguar vetëm një euro dhe faktikisht për ta regjistruar pronën në momentin kur përfundon investimi, jo përpara”, tha Rama.
“Pra nuk mund ta marrësh edhe ta regjistrosh pa bërë. Duhet të investosh. Në momentin kur mbaron investimin ti e merr dhe e regjistron dhe çdo gjë që mund të lindë më pas në aspektin e një konflikti është barrë e shtetit nëse lind”, tha Rama.
Rama solli situatën e Thethit, ku u shpreh ai, “në një periudhë kohe të caktuar janë bërë zhvillime pa leje në prona legjitime, pra aty ku realisht kanë pasur pronën dhe ku nuk është prodhuar konflikt për shkak të kësaj , tregon qartë që në përgjithësi mjafton syri i këshillit bashkiak dhe i administratës bashkiake për të verifikuar jemi në kushtet e një trashëgimtari të ligjshme të asaj prone, apo jemi në kushtet e një mundësie për konflikt.
Rama u shpreh se kjo procedurë është shumë e thjeshtë.
“Faktikisht është njësoj si të jesh pronarë dhe të kërkosh leje për zhvillim”, tha Rama, i cili shtoi se, “ka një gjë tjetër ekstra që është bërë, jo pa qëllim, që 500 aplikantët e parë, në momentin që do të hapet thirrja dhe thirrja do të hapet në momentin kur bashkitë do të kenë depozituar në Këshillin e Ministrave nëpërmjet Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor do kenë depozituar hartat ku do të bëhen këto zhvillime si fillim dhe mbi bazën e atyre hartave do hapen thirrjet, pra do hapet rruga dhe 500 aplikantët e parë do kenë 10 vjet pa asnjë lloj detyrimi ndaj shtetit përveç kuptohet, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit e tyre. E vetmja gjë, as taksa, as TVSH, asgjë 10 vjet”.
Ram theksoi se kjo është një incentivë që nuk e ka asnjë vend dhe shtoi ai, “me thënë të drejtën e kemi bërë dhe pak me shtrëngim me FNM-në sepse është një përjashtim total nga çdo gjë.
Por, shtoi Rama, “besoj që ia vlen dhe besoj që në momentin që kemi 500 të parët dhe fillimi i realizmit të këtyre 500 agroturizmave të parë pastaj të tjerët vazhdojnë normalisht me të njëjtën metodë, por do të vazhdojnë të kenë atë barrën fiskale njësoj siç e kanë agroturizmat sot normalisht me TVSH-në 6% dhe me taksa shumë të ulta për hir të së vërtetës”.
Fraksion.com