“Fushata e bullizmit, një turp”, Rama: Marjana, vlerë e shtuar për politikën dhe Shkodrën.
Kryeministri Edi Rama, u është përgjigjur sot disa komenteve që i janë adresuar Marjana Koçekut, kandidates së skuadrës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit për qarkun e Shkodrës.
Gjatë aktivitetit të organizuar për prezantimin e kandidatëve për deputetë të PS në qarkun e Shkodrës, kryeministri tha se i ka rënë në sy bullizimi që kanë bërë disa burime të caktuara dhe personazhe groteske në adresë të Marjanës.
“Dua të them diçka qysh në fillim sepse nuk kam pasur mundësi apo rast që ta flas me Marjanën, por më ka rënë në sy bullizimi që i bënë disa burime të caktuara dhe personazhe groteske nën petkun e analistëve, komentatorëve, deri edhe intelektualëve që kanë kurajën ta quajnë veten duke e ekspozuar si një simbol të një banaliteti të së shkuarës”, tha Rama.
“Me thënë të drejtën, unë e di shumë mirë që Marjana është e fortë dhe nuk i bëjnë përshtypje këto, madje është aq kokëfortë sa ky do jetë një problem më vete. Arsyeja pse e solla këtu këtë shembull është se dua të kthej një përgjigje për ata njerëz që nuk e kanë idenë fare se kush është Marjana, se nisen thjesht nga fakti që është një malësore, nuk kuptojnë hiç, zero provokimin e fotografisë me atë kecin, që është një sipas meje imazh jashtëzakonisht i bukur dhe mbi të gjitha harrojnë që të pyesin se nga vjen Majana dhe çfarë ka bërë në jetë. Nuk është një vajzë me qengja dhe me keca që u mor thjesht për panoramën apo fasadën, por është një personalitet në kuptimin e vërtetë të fjalës për moshën që ka, e vetëkrijuar me shumë mund, sakrifica, ambicie kokëfortësi dhe shumë peripeci”, tha Rama.
“Jam i bindur se nuk e kanë idenë që Marjana ka studiuar shkenca politike, jashtë shtetit, që ka pasur një trajektore jashtëzakonisht të veçantë, për të ardhur deri këtu dhe që politikën e ka pasur ambicie shumë kohë më parë. Unë kam folur me Marjanën, e kam njohur më parë në podkast, dhe më ka thënë që kam pasur gjithmonë dëshirë të merret me politikë, por kur të vinte dita. Mbi të gjitha është një njeri që vjen nga puna dhe nga suksesi, aty ku të tjerët 99% do ishin dorëzuar, në mes të asgjëkundit, atje ku i ka qëlluar të ketë vendlindjen dhe shtëpinë dhe ka ngritur një destinacion që është bërë i njohur ndërkombëtarisht”, pohoi Kryeministri.
Kryeministri Rama u shpreh se përfshirja e Marjanës në politikë do të jetë një vlerë e shtuar jo vetëm për Shkodrën, por për sektorin e turizmit, bujqësisë dhe jo vetëm.
“Arsyeja pse Marjana vjen në politikë është diçka që ajo mund ta shpjegojë vetë, arsyeja pse ne e kemi pranuar aplikimin e saj është sepse ne besojmë që ajo do të jetë një vlerë e shtuar për Shkodrën, sektorin e turizmit, për bujqësisë dhe për të gjitha ato problematika që lidhen me Shqipërinë rurale, si dikush që ka studiuar shkenca politike dhe si dikush që ka prodhuar me duart e veta nga toka dhe që ka parë të dyja anët e medaljes, edhe varfërinë dhe suksesin, edhe bashkëfshatarët e vetë, por edhe turistë nga e gjithë bota në derën e vet”, nënvizoi Rama.
Kreu i PS theksoi në fjalën e tij se e gjithë gjuha e bullizmit e drejtuar ndaj saj është një turp, ndërsa tha se Marjana e meritonte këtë shpjegim nga ana e tij, për të kuptuar filozofinë dhe qasjen që PS ka pasur në drejtimin e skuadrës jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë.
“E kot t’ju them atyre që kanë prodhuar gjithë atë “pocaqi” që duhet t’ju vijë turp, por ata s’kanë lidhje me turpin. Thjesht e vetëm për të gjithë të tjerët, Marjana e meritonte këtë shpjegim nga ana ime, jo për të fare, por për filozofinë dhe qasjen e kësaj skuadre që ne kemi ndërtuar në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se në Shkodër, ashtu si edhe në qarqe të tjera është arritur të formësohet një skuadër që është shumë përfaqësuese që mbulon të gjitha ndjeshmëritë dhe kategoritë dhe që ju flet të gjithëve pavarësisht moshës, gjinisë dhe prejardhjes, pasi kushdo që jeton në Shkodër apo jashtë, por është i lidhur me Shkodrën e ka mundësinë që në këtë skuadër të gjejë atë që kërkon.
Rama theksoi se, “ky është avantazh i madh për ne krahasimisht me ata që kemi përballë, ose më saktë ata që kemi mbrapa se ne përballë kemi vetëm horizontin e BE-së dhe ‘kemi kundërshtarë përballë por i kemi mbrapa dhe prandaj edhe dëgjojmë në mënyrë të vazhdueshme zhurma dhe klithma dhe britma dhe sharje dhe mallkime dhe lehje.
Fraksion.com