AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Zgjerojmë më tej programin e financimit të Startup-eve

Më shumë se 150 talente shqiptare që kanë kthyer ëndrrat e tyre në biznese reale, prezantuan sot produktet e tyre inovative në një aktivitet ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj.

Mes tyre janë fituesit e Startup Grant 2024 dhe 86 startup-e të reja që sot marrin lajmin se janë fitues dhe do të financohen nga thirrja Startup Grant 2025.

Ndërsa vlerësoi 89 fituesit e programit, kryeministri Rama u shpreh se “jemi po kaq të vetëdijshëm se programi duhet zgjeruar më tutje”.

Kryeministri theksoi se deri në shfaqjen e teknologjisë dixhitale progresi me shërbimet në Shqipëri ka qenë linear ndërsa tani jemi në epokën e progresit eksponencial.

“Kur progresi ishte linear duhej disa vjet derisa aksesi të arrinte te më të varfërit. Prandaj në fund vendeve më pak të zhvilluara dhe të varfra ju mbeteshin makinat daktilogafike, që ishin nxjerrë jashtë përdorimit. E njëjta histori me kompjuterët”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi vitin 1998 kur ishte Ministër Kulture se si në ministri të gjitha shkresat bëheshin me makina daktilografie.

Rama tha se falë një shkrese që i drejtoi atëherë drejtorit të Duetsche Bank për të marrë kompjuterët që i kishin nxjerrë jashtë përdorimit, Ministrisë së Kulturës iu dorëzuan nga ambasada gjermane disa kompjutera. “Ajo letër përfundoi në murin e zyrës së drejtorit të Deutsche Bank në kornizë si vepër arti”, tha Rama.

 

Fraksion.com