AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Platforma e-Albania u ka kursyer shqiptarëve 620 milionë euro

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga ofrimi i shërbimeve përmes platformës e-Albania i janë kursyer shqiptarëve 620 milionë euro në total.

Kryeministri Rama dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj në prezantimin e fituesve të startup dhe Startup Grant2024.

Në fjalën e tij në këtë aktivitet, Rama solli në vëmendje auditin analitik të kryer nga një grup ekspertësh mbi atë që ka ndryshuar platforma e-Albania në jetën e shqiptarëve.

“Më mbetën në mend 3 të dhëna. E para që nga platforma u janë kursyer shqiptarëve 620 milionë euro në total. Përndrydhe do t’i kishin harxhuar për të marrë shërbimet që kanë marrë në gjithë këto vite. Analiza ishte shumë interesante dhe përfshinte të dhëna nga karburanti dhe deri te distancat e kursyera”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se “janë kursyer 75 milionë fletë letre”. Ndërkohë shifra më domethënëse, sipas tij, kishte të bënte me kohën e kursyer.

“Koha e kursyer është 25 mijë rrotullime rreth tokës. Kjo është habia e madhe dhe bekimi po ashtu i teknologjisë për vende si vendi ynë që në rastin e kontaktit me teknologjinë dhe majën e shërbimeve që teknologjia ofron ka mundësi të bëjë kapërcime historike të një natyre që nuk do t’i bënte dot kurrë pa teknologjinë”, tha Rama.

Pa teknologjinë, sipas tij vendi nuk do të arrinte dot që në një kohë kaq të shkurtër të krijonte një administratë publike që të ishte në gjendje t’i bënte shërbimet me të njëjtën shpejtësi e progres.

 

Fraksion.com