AktualitetPolitikëTë fundit

“Nuk mund të shkohet në censurë”, Zhupa: Dërgimi në Kushtetuese i mbylljes së TikTok, hap pozitiv

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, BIRN Albania dhe “Centre for Legal Empowerment”, kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetuese të vendimit të Këshillit të Ministrave për bllokimin e rrjetit social TikTok në Shqipëri..

Sipas tyre “vendimi për të mbyllur TikTok është një vendim arbitrar dhe që krijon precedentë të rrezikshëm”.

“Nuk mund të shkohet në censurë të plotë dhe mbyllje të rrjeteve sociale. Kjo cenon lirinë e shprehjeve dhe të drejtën ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Jemi besimplotë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do ta legjitimojë sepse kjo do të krijojë precedent që mund të çojë në mbylljen e rrjeteve të tjera sociale, apo mbylljen e internetit nga kjo qeveria apo qeveri të tjera që do të vijnë më pas”, tha Isa Myzyraj, kreu i Asociacionit për Gazetarët Shqiptarë.

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, njëherësh kryetare e Komisionit të Medias nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka shprehur mbështetjen për këtë kërkesë të bërë nga organizatat e gazetarëve.

“Është hap shumë pozitiv që vetë organizatat e gazetarëve dhe shoqërisë civile reaguan ndaj shkeljes së kushtetutës që bën kryeministri në ikje Edi Rama. Një vendim pa asnjë bazë ligjore, vetëm mbi bazë politike për të censuruar një rrjet që nuk e dominohet dot nga propaganda qeveritare”, shkruan Zhupa.

“Shpreh gatishmërinë për çdo suport si deputete dhe si kryetare e komisionit të medias, në betejën e drejtë kundra censurës, pro lirisë së shprehjes, një e drejtë kushtetuese themelore që s’mund të hiqet me VKM”, thekson Zhupa.

 

Fraksion.com