“Dumani ka të gjithë solidaritetin përballë sulmeve kafshërore”, Rama: I kërkuam drejtësisë të ndërhyjë ku është e nevojshme, edhe për të pastruar shtëpinë tonë
Kryeministri Edi Rama shprehu respektin dhe gjithë solidaritetin për kreun e SPAK, Altin Dumani përballë sulmeve kafshërore dhe deri kundër familjes së tij, ndërsa theksoi se me Reformën në Drejtësi Partia Socialiste vuri veten në dispozicion të drejtësisë.
Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi sipas së cilit nuk ka një plan në luftën kundër korrupsionit.
“Lufta kundër korrupsionit që po zhvillohet, hetimet, gjyqet që po zhvillohen si thua ti nuk kanë lidhje me asnjë plan dhe me asnjë projekt, me asnjë program dhe me asnjë vullnet timin dhe PS-së? Po të mos isha unë dhe PS ti nuk do t’i kishe këto”, tha Rama.
Kryeministri shprehu respektin dhe gjithë solidaritetin për kreun e SPAK, Altin Dumani përballë sulmeve kafshërore dhe deri kundër familjes së tij.
Por sipas tij, “Dumani nuk ka ardhur nga hëna, as nuk e kanë sjellë me avionë nga Amerika apo Europa kur u ngrit institucioni i SPAK”.
“Ai ka qenë këtu, ka qenë prokuror. E kishe dëgjuar Altin Dumanin ndonjëherë? Jam i bindur se i tillë ka qenë edhe atëherë, i ndershëm dhe kurajoz. E kishe dëgjuar ti më parë? Pse nuk kishte thirrur Altin Dumani atëherë ndonjë politikan, pse nuk ishte marrë me politikanë t’i çonte para drejtësisë”, u shpreh Rama.
Rama tha se nuk kishte ardhur akoma koha që solli PS që bëri Reformën në Drejtësi, duke i dorëzuar shpatën e ndëshkimit drejtësisë.
“Ne e vumë veten dhe organizmin e partisë sonë në pushtet në funksion të drejtësisë pikërisht për të përshkallëzuar luftën kundër korrupsionit dhe për t’i kërkuar drejtësisë të ndërhyjë kudo ku shikon të arsyeshme, të ndërhyjë dhe për të pastruar shtëpinë tonë”, shtoi ai.
Fraksion.com