“S’ka më Investime Strategjike”, Berisha paralajmëron: Pas 11 majit do të anulohen lehtësirat fiskale të dhëna nga ligjet me porosi
Kreu i PD Sali Berisha në një konferencë për shtyp ka paralajmëruar anulimin e lehtësirave fiskale të arritura nga ligjet preferenciale, ndërsa shtoi se nuk do të ekzistojë më as ligji për investimet strategjike.
“Do anulohen të gjitha lehtësirat fiskale të dhëna nga ligje dhe vendime preferenciale, të porositura nga familjarë dhe oligarkë të qeveritarëve.
Paguajnë taksën 6%, në një kohë kur qytetari e paguan TVSH 20%.
Ligji për investimet strategjike, siç është nuk do të ekzistojë. Korporata e Investimeve Strategjike, korporata e korrupsionit më të madh në histori, merr fund javën e parë të qeverisë së PD dhe aleatëve.
Do të rishikohet në total sistemi aktual i gjobave dhe ndëshkimeve armiqësore ndaj biznesit.
TVSH do të rimbursohet në kohë reale dhe nuk do të jetë më diskrecion ministror.
Në programin e sipërmarrjes janë disa kategori që do të kenë trajtim të veçantë.
Këta janë të rinjtë, gratë dhe diaspora. Zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muaj, për punësimin e parë të të rinjve nga sipërmarrësi gjer në moshën 25-vjeçare.
Gjithashtu përjashtim nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat deri në moshën 25-vjeçare.
Stimuj fiskal dhe mbështetje financiare për investitorët nën moshën 35 vjeç.
Studentët, profesionistët do të mbështeten çdo vit me grante 5-30 mijë euro për startupet që do të fillojnë.
Do të hiqet barra e tatim fitimit për gratë që hapin një biznes dhe subvencionohen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për to dhe stafin e tyre, me kushtin që të paktën gjysma e të punësuarve të jenë gra e vajza, ose të rinj deri në moshën 30 vjeç”, u shpreh ai.
Fraksion.com
Fraksion.com