“Rruga 6 do të fillojë menjëherë pas zgjedhjeve”, Rama: Rritje e cilësisë së hapësirës urbane në Sarandë
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Sarandë me sipërmarrës të rinj të kthyer në Shqipëri duke u shndërruar në potencial të ekonomisë rajonale.
Kryeministri u ndal veçanërisht te investimet në infrastrukturë, ndërsa nënvizoi potencialin akoma të pashfrytëzuar plotësisht që ka Saranda dhe nevojat që ka sa i përket rritjes së cilësisë së hapësirës urbane.
“Hapësira urbane në Sarandë është ngushtuar shumë në të shkuarën por koha na ka treguar se nuk është domosdoshmërisht diçka e pashpresë, përkundrazi. Fakti se pavarësisht densitetit të madh që ka, Saranda vazhdon të jetë një pikë referimi dhe trend për të huajt është shumë domethënës”, shtoi Kryeministri.
Rama solli në vëmendje investimet që po bëhen në rrugën e re e cila është kthyer pjesërisht në pedonale.
“Kjo do të jetë deri kur të mbyllet investimi tek Rruga 6. Rrugën 6 e kemi vendosur në planet e investimeve, por nuk e nisëm vetëm për shkak të zgjedhjeve”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje Kodin Zgjedhor i cili ndalon të gjitha llojet e prokurimeve 4 muaj para zgjedhjeve.
“Një absurditet më vete por e kemi bërë edhe këtë siç kemi bërë edhe gjëra të tjera në atë ligj. U thoja dikur që edhe sikur të shkruajmë do mbyllemi brenda në shtëpi për 4 muaj prapë do thonë na i vodhën. Por kjo është temë tjetër”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se Rruga 6 do të fillojë menjëherë pas zgjedhjeve. “Besoj nga muaji gusht sepse duhet prokurimi dhe procedura me qëllim që të gjithë këtë pjesën që kemi shtruar me pllaka ta kthejmë në një rrugë këmbësore ku aksesi për bizneset të jetë vetëm për orët kur ju duhen furnizimet”, tha ai.
Kryeministri shprehu bindjen se kjo do të rrisë shumë vlerën e qytetit për shkak se bëhet edhe një shëtitore e brendshme, përveç shëtitores buzë detit, që është sot i vetmi shkarkim i masës së njerëzve që duan të ecin në qytet.
Fraksion.com