AktualitetPolitikëTë fundit

Rama – demokratëve: Votoni PS, përfitojnë studentët dhe pensionistët

Kryeministr Edi Rama ishte sot në një takim me të rinjtë në Gjirokastër, ku prezantoi kandidatët për deputetë të qarkut në zgjedhjet e 11 majit.

Rama foli për përfitimet që do të kenë të rinjtë kur Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Duke iu drejtuar prindërve demokratë, Rama tha se edhe nëse nuk e duan PS-në, duhet të bëjnë një llogari që “ne këtu që nuk të pëlqejmë jemi ata që mund ta fusim Shqipërinë në BE dhe askush tjetër nuk e fut dot”.

“Se duhet ta shohëdh nga pozita e interesit tënd si prind për fëmijën tënd që ‘bufi i kënetës’ mund të të bëjë të shpresosh kot se po mundemi ne, po nuk të bën atë që ty të duhet, që fëmijës tënd që sot është 14 vjeç dhe pas 4 vitesh kur të bëhet 18 dhe do të shkojë jashtë për të studiuar ti t’i japësh pasaportën e BE. Dhe duke i dhënë pasaportën e BE, fëmija jot nuk është siç janë sot fëmijët që studiojnë në Evropë, pra nuk trajtohen si studentë të huaj me kuota dhe me tarifa që janë ndryshe, por trajtohet njësoj si studentët evropianë dhe nuk ka absolutisht asnjë dallim dhe i ka të gjitha favoret që i bëhen në Francë francezëve, në Spanjë spanjollëve, në Holandë holandezve, e kështu me radhë”, tha Rama.

“Mund të ketë shumë gjirokastritë që janë në Greqi dhe nuk janë me ne ose janë indiferentë, ose thonë: “Këta janë të gjithë njësoj”. Ne nuk jemi të gjithë njësoj, se po të ishim të gjithë njësoj ne nuk futeshim kurrë në BE. Ne jemi shumë ndryshe pikërisht sepse jemi ne këtu që Shqipërinë do ta fusim në BE dhe janë ata të tjerët që Shqipërinë mund ta fusin vetëm në gropë, siç e kanë futur sa herë që u është dhënë mundësia”, theksoi Rama.

Por, përtej kësaj, shtoi kreu i qeverisë, “ata duhet të mendojnë një gjë shumë të thjeshtë që ankohen vazhdimisht me të drejtë që nuk kanë akoma dokumentet. Një pjesë e tyre nuk kanë dokumente greke. Në momentin që futemi në BE ata marrin pasaportën shqiptare të BE-së dhe që nga ai moment nuk kanë nevojë fare për dokumente greke, sepse mund të rrinë në Athinë me atë pasaportë dhe kanë gjitha liritë dhe të drejtat njësoj si grekët, një për një”.

“Madje, në momentin që marrin pasaportën e BE nuk kemi më nevojë ne të negociojmë me Greqinë as pensionet, sepse çdo vend anëtar i BE të gjithë pensionistët e vet i ka në të njëjtin sistem dhe njohja e pensioneve për punën e bërë në një vend tjetër është automatike. Transferimi i pensionit nga një vend në një vend tjetër është automatik”, tha Rama, duke shtuar se ky është interesi i drejtpërdrejtë, pa lidhje me ngjyrat politike.


Fraksion.com