Rama thirrje të rinjve demokratë në Vlorë:: Votoni numrin 5 për Shqipërinë në BE
Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, mbrëmjen e së shtunës u bëri thirrje të rinjve dhe veçanërisht atyre të Partisë Demokratike të votojnë numrin pesë dhe Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit për të realizuar integrimin e Shqipërisë në BE.
“Deti fle, po as Vlora s’fle dhe as ‘armiqtë’ më të bukur në botë nuk flenë”, shkruan Rama, ndërsa ndan një videomesazh pas takimit të zhvilluar në Vlorë, siç thotë ai, me “të rinjtë e Partisë Demokratike”.
“Kërkoi ndihmë. Jam peng i rinisë demokratike, FRPD. Peng i një grupi terrorist. Më morën peng, qenka gjë e bukur të jesh peng. Ju falënderoj të gjithëve. Unë më të bukur se ju nuk kam parë ndonjëherë”, tha Rama.
Kreu i PS tha se nuk është e nevojshme që të rinjtë demokratë të bashkohen me Partinë Socialiste, por të votojnë numrin pesë në fletën e votimit për të anëtarësuar Shqipërinë në BE.
“S’ka nevojë të bashkoheni me Partinë Socialiste, por të bashkoheni te numri pesë, pastaj shohim më tutje. Bashkohemi te numri pesë, fusim Shqipërinë në BE, thajmë kënetën dhe pastaj shpërndahemi prapë”, theksoi Rama.
Më tej, Rama iu drejtua disa djemve që po konsumonin duhan, duke i këshilluar të mos e bënin një gjë të tillë. “Ju nuk keni faj, duke humbur jeni mësuar të pini cigare, por kësaj radhe do të fitoni”, tha Rama.
Fraksion.com