Rama: Në momentin që Shqipëria anëtarësohet në BE, bëhet e madhe sa BE-ja
Kryeministri njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinjtë për prezantimin e kandidatëve të Vlorës.
Në fjalën e tij Rama i ktheu përgjigje edhe skeptikëve të cilët shprehen se nëse nuk u anëtarësuam për 12 vjet në BE, pse do ta arrijmë tani?
“Duhet t’i referoheni faktit që Mali i Zi, i cili sot është në të njëjtën pozitë me ne, i ka filluar negociatat në vitin 2012. Kini parasysh që ne zyrtarisht negociatat i kemi filluar vjet. Na kanë vonuar 3 vjet rresht, sepse KE thoshte Shqipëria është gati t’i hapi negociatat sepse i ka bërë detyrat, dhe KE është qeveria e BE. 27 vendet anëtare që janë në njëfarë mënyre Kuvendi i BE, nuk arrinin dot të binin në një mendje dhe dilte Holanda dhe thoshte: “Jo se ka dhe ca gjëra të tjera”. Në fakt Holanda s’kishte fare hallin tonë, ose s’kishte lidhje fare me çfarë kemi bërë ose jo ne, por kishte hallin e zgjedhjeve atje në Holandë dhe i duhej që të sillej ashpër me idenë e zgjerimit”, tha Rama.
Pastaj, shtoi Rama, “ndodhi historia e Himarës, ju e dini, pati një tjetër bllokim nga fqinjët për të arritur në momentin kur u zhbllokua gjithçka dhe u hap rruga”.
“Tani kjo rrugë që është hapur, kjo mundësi që është hapur, kjo derë që është hapur nuk do rrijë hapur aty pafundësisht, mund të mbyllet dhe pastaj mund të duhen prapë dhe 10 vjet të tjera”.
“Mos harroni që Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për anëtare në BE në vitin 2005, kur me siguri disa nga ju këtu s’kishin lindur akoma, dhe sot është mbrapa nesh, nuk i ka hapur akoma negociatat. Sepse historia e anëtarësimit është një histori sa e bazuar mbi çfarë bën ti, aq edhe e bazuar mbi çfarë duan dhe kur e duan dhe si e duan ata. Dhe sot Shqipërisë i janë bashkuar këto të dyja”, tha Rama.
“Sot ne kemi një kalendar të dakordësuar me ata për t’i mbyllur negociatat në 2027-ën dhe do të ishte dhe do të jetë hera e parë në historinë e integrimit që një vend në tre vjet fillon dhe mbyll negociatat. Kroacia që është një rast nga më të shkëlqyerit, mori 7 a 8 vjet”, tha Rama.
Prandaj, shtoi kreu i qeverisë, “ne nuk duhet ta humbim këtë moment”.
Rama u shpreh se, “negociatat për shkak se janë ngushtuar në kohë tre vjet janë kaq intensive. Janë 1 mijë vetë që merren çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë. Çdo javë dy ministret tona që merren me negociatat ulen përballë atyre në Bruksel dhe japin llogari jo çfarë u bë vjet, por çfarë u bë javën e kaluar fushë për fushë. Janë 40 skuadra negociatore”.
“Tani nëse më 11 maj Shqipëria i jep Evropës mesazhin popullor që ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë deri në 2027-ën dhe duam të jemi në BE, me një shumicë që del nga kutia e votimit, që është një shumicë që bën përshtypje, që bën presion mbi ta pozitiv, kjo është një gjë”, tha Rama.
Por, shtoi kreu i qeverisë, “nëse Shqipëria jep një mesazh që populli këtu merret me mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe njerëzit këtu, disa nuk e kanë shumë problem këtë gjë. Se ca thonë: “Po ne e kemi pasaportën evropiane”. Jo, mo, s’keni pasaportën evropiane. S’kemi ne pasaportën evropiane. Ne kemi pasaportën shqiptare që na jep lirinë të lëvizim në Evropë, por nuk na jep lirinë të ndalojmë në Evropë. Kush do të ndalojë atje duhet të shkojë të kërkojë azil. Ndërkohë që kur ke pasaportën e BE-së, siç e kanë të tjerët, dhe nuk numërohen ata kur lëvizin, sepse ata lëvizin brenda shtëpisë së vet”.
“Atëherë nëse mesazhi është, nuk është fjala këtu fiton apo s’fiton PS, por mesazhi është atëherë ne jemi më të dobët atje dhe patjetër që ndryshimi mes pasaportës që ne kemi dhe asaj që marrim kur futemi në BE është si dita me natën, sepse në momentin që ne marrim pasaportën, Shqipëria anëtarësohet në BE dhe çdo shqiptar merr pasaportën e BE-së në atë moment Shqipëria bëhet e madhe sa BE-ja dhe BE-ja bëhet e vogël sa Shqipëria”, tha Rama.
Fraksion.com