AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: PS krenare për drejtësinë e re, opozita premton shkrirjen e SPAK

Kryeministri Edi Rama tha sot se Partia Socialiste është krenare për Reformën në Drejtësi. Nga qyteti i Durrësit ku zhvilloi një takim me kandidatët për deputetë të këtij qarku, kryesocialisti Rama tha se në këtë vend nuk ndodhte kurrë që prokurorët të merrnin në pyetje zyrtarë të lartë.

Duke iu referuar vrasjes së katër protestuese më 21 Janar, Rama tha se u urdhërua refuzimi i zbatimit të urdhrave nga qeveria e asaj kohe, kur kryeministër ishte Sali Berisha.

Sot, sipas Ramës, opozita thotë se më 12 maj do të shkrijnë SPAK-un.

“Ne duhet të jemi krenarë, jo që nuk duhet të ulim kokën, por përtej dhimbjes personale për arsye njerëzore, se nuk na vjen mirë që të shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh dhe sot është në duar të drejtësisë, por nuk ndodhte dot kjo kurrë nëse ne nuk do të hapnim këtë kapak. Këtu u vranë katër veta në mes të bulevardit dhe s’u pyet njeri. U ndaluan, u refuzua me urdhër nga kryeministri, u urdhërua refuzimi i zbatimit të urdhrave të prokurorit, polici i tha “ik, nuk zbatojmë ne urdhrat tuaj”. Është diçka shumë e re, ndryshe nga punët e tjera, që në fund të ditës nuk e bëri mirë punën këtu dhe u prishën tre gurë, dolën jashtë ata tre gurët, janë jetë njerëzish, e kemi bërë ne dhe nuk e bën askush tjetër. Sot ata e thonë copë: “Më 12 maj do të shkrijmë SPAK””, tha Rama.

 

Fraksion.com