Rama: Po krijojmë model unik të prokurimeve publike me IA, 95% e procesit pa përfshirjen e njeriut
Kryeministri Edi Rama informoi sot se Shqipëria po punon për krijimin e modelit të parë unik të prokurimeve publike me inteligjencë artificiale.
Gjatë prezantimit të raportit të GRECO-s për luftën antikorrupsion, kryeministri nënvizoi se qeveria do të vazhdojë të bëjë një punë të konsiderueshme edhe më të madhe për të vënë në dispozicion të këtij progresi dhe qëllimit të madh për të hyrë në BE, edhe zhvillimin e teknologjisë.
Në këtë drejtim, Rama informoi se po përgatitet një model unik për Prokurimet Publike me inteligjencë artificiale.
“Deri më sot është i pari model që do të mbulojë 95% të procesit pa përfshirjen e njeriut”, theksoi Rama.
Po ashtu, Kryeministri bëri të ditur se për këtë qëllim para disa javësh është organizuar një workshop me 16 përfaqësues të grupeve të kërkimit dhe të teknologjisë nga 16 vende europiane që merren me zhvillimin e modelit të Prokurimeve Publike përmes përdorimit të inteligjencës artificiale.
“Ky workshop ka qenë shumë inkurajues dhe domethënës për ne. Ne po mundohemi dhe po e bëjmë këtë në bashkëpunim me Mira Muratin dhe grupin e saj, por edhe me Microsoft që të kemi model gjithëpërfshirës të gjithë procesit”, shtoi ai.
Fraksion.com