Programi i qeverisjes së PD, Zhupa: Kultura është thelbi i identitetit kombëtar , PD është e vendosur ta mbrojë atë
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka prezantuar programin e PD për kulturën, duke vënë theksin tek mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe ndalimi i privatizimeve të saj.
Sipas saj, nën qeverisjen e Partisë Demokratike, koncesionet mbi trashëgiminë kulturore do të marrin fund dhe shteti do të rikthejë rolin e tij të plotë në ruajtjen e pasurive historike dhe kulturore të vendit.
Pikat kryesore të programit për kulturën
– Fund koncesioneve në trashëgiminë kulturore – Sipas PD-së, trashëgimia nuk është mall tregtar dhe nuk mund t’i jepet në dorë privatëve. Çdo vendim për menaxhimin e pasurive kulturore do të kalojë përmes një rishikimi të rreptë ligjor për të garantuar mbrojtjen e tyre.
– Kultura për edukim dhe turizëm, jo për oligarkët – PD deklaron se qendrat historike dhe pasuritë kulturore nuk do të përdoren për ndërtimin e qendrave tregtare, resorteve apo vilave private, por do të vihen në funksion të edukimit, socializimit dhe turizmit të qëndrueshëm.
– Vlerësimi i ndikimit në trashëgimi – PD synon të përfshijë në ligj vlerësimin e ndikimit në trashëgimi (HIA), një standard i përdorur nga UNESCO dhe vendet e BE-së, për të siguruar që çdo ndërhyrje në monumentet kulturore të bëhet duke respektuar vlerat historike dhe arkeologjike.
– Zgjerimi i listës së pasurive të mbrojtura nga UNESCO – PD angazhohet të përgatisë dosjet për përfshirjen e pasurive të reja kulturore dhe natyrore, si Gjiri i Gramës dhe Bylisi, në mbrojtjen e UNESCO-s.
-Shkolla e guidave dhe investimi në digjitalizim – Do të krijohet një shkollë e posaçme për ciceronët e certifikuar që do të përcjellin historinë shqiptare për vizitorët vendas dhe të huaj. Trashëgimia do të digjitalizohet përmes guidave audio dhe teknologjisë moderne.
-Rikthimi i arkeologëve shqiptarë në gërmimet historike – Zhupa denoncoi vendimin e Ministrisë së Kulturës që përjashtoi arkeologët shqiptarë nga gërmimet në Amfiteatrin Romak, Forumin Bizantin dhe Termat Romake në Durrës. “VKM-ja e 25 korrikut 2023 do të anulohet dhe arkeologët shqiptarë do të kenë rolin kryesor në kërkimet arkeologjike”, tha ajo.
– Trashëgimia kulturore si lëndë zgjedhore në gjimnaze – PD propozon futjen e një moduli për trashëgiminë kulturore si lëndë zgjedhore për nxënësit e gjimnazeve.
-Bonusi rinor për kulturën – PD do të financojë 100 projekte rinore në vit për të angazhuar të rinjtë në promovimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare.
Në përfundim, Zhupa u shpreh se kultura është thelbi i identitetit kombëtar dhe se PD është e vendosur ta mbrojë atë. “Shqipëria Madhështore realizohet duke lartësuar kulturën tonë madhështore, identitetin dhe krenarinë tonë si shqiptarë,” tha ajo.
Fraksion.com