“Maturantëve u kanë ndërprerë mësimin për Ballukun”, Bardhi publikon denoncimin: Keqpërdorimi i mësuesve dhe nxënësve për politikë është krim!
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka denoncuar nëpërmjet një postimi në Facebook përdorimin e mësuesve dhe nxënësve për aktivitete politike të organizuara nga zv/kryeministrja Belinda Balluku në qytetin e Fierit.
Bardhi e ka quajtur këtë veprim një krim dhe ka kërkuar ndërhyrjen e SPAK për të ndëshkuar veprimet e tilla që shkelin ligjin dhe etikën profesionale.
“Mirëmëngjes! Uroj të jeni mirë! Ditën e djeshme, Belinda Balluku ka shpërndarë në Facebook çeljen e panairit të punës në Fier. Sot, drejtorët e shkollave kanë njoftuar mësuesit të shoqërojnë nxënësit e maturave, të ndërpresin mësimin dhe të shoqërojnë nxënësit në panair,” thuhet në denoncimin e publikuar nga Bardhi. Ata kanë shprehur shqetësimin se ndërprerja e mësimit për aktivitete politike është në kundërshtim me ligjin dhe shkel etikën profesionale të mësuesve.
“Qytetarët e Fierit i kanë braktisur dhe sot secili prej tyre pyet: Ku është SPAK për të ndëshkuar krimet elektorale?” ka shkruar Bardhi, duke u bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të veprojnë në përputhje me ligjin për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të siguruar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të pacënueshëm.
Fraksion.com