AktualitetTë fundit

“Flori kontrabandë për ta shitur në Shqipëri”, arrestohet shtetasi turk

Një 39-vjeçar nga Turqia është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se kishte futur kontrabandë flori dhe bizhuteri floriri, për t’i shitur në Shqipëri.

Policia njoftoi se “si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kontrabandimit të sendeve me vlerë, me qëllim shitjen në Shqipëri, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4 dhe me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin “Gold””.

“Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi turk B. A., 39 vjeç, banues në Stamboll, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. B., 58 vjeç, banues në Vlorë”, njoftoi Policia.

Sipas Policisë “nga kontrolli në automjetin që drejtonte shtetasi turk, në rrugën “5 Maji”, u gjetën 455 gramë flori dhe bizhuteri floriri, të cilat dyshohet se ishin kontrabanduar me qëllim shitjen nga shtetasi S. B.”.

“Mallrat pa fatura blerjeje, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 35 000 euro dhe 16 200 dollarë që iu gjetën 39-vjeçarit, automjetin dhe celularin e tij”, njoftoi Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com