AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Mbidyfishim i buxhetit për kulturën, status ligjor të veçantë për artistët

Partia Demokratike së bashku me ekspertë të opozitës dhe me mbështetjen e Fondacionit të CDU gjermane “Konrad Adenauer”, prezantuan Programin e Qeverisjes 2025-2029 për Kulturën.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se do të ketë një mbidyfishim të buxhetit për kulturën dhe artin.

“PD konsideron emergjente këtë situatë dramatike në fushën e kulturës dhe arteve ndaj dhe garanton qytetarët shqiptarë, shkrimtarët, artistët, skulptorët, piktorët dhe të gjithë personalitetet e kulturës dhe artit se një ndryshim rrënjësor në vitin e parë të qeverisjes së saj do ndodhë në qëndrimin e shtetit dhe qeverisë ndaj arteve dhe kulturës.

Kultura është për ne çështje e identitetit kombëtar. Në këtë kontekst, gjallërimi dhe rikthimi në aktivitet i të gjitha institucioneve të kulturës në Tiranë dhe rrethe mbetet një përparësi absolute”, tha Berisha.

“Mbidyfishimi i buxhetit për kulturën dhe artin dhe ristrukturimi i plotë i Ministrisë së Kulturës në funksion të degëve të artit dhe kulturës, mbrojtjes dhe zhvillimit të tyre, janë objektivat tanë të pandryshueshëm”, theksoi Berisha.

Berisha shtoi më tej se do të ketë një përcaktim të një statusi ligjor të veçantë për artistët, shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës.

“Miratimi i ligjit të sponsorizimit të artit dhe kulturës në mënyrë transparente nga bizneset është një tjetër zotimi i yni”, tha Berisha.

Berisha theksoi se do të nxisim bizneset dhe biznesmenët të sponsorizojnë me transparencë duke ulur në proporcion taksat që i paguajnë shtetit.

 

Fraksion.com