Sekuestrohen 19 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare në Morinë, nën hetim 44-vjeçari
Një 44-vjeçar nga Kosova është proceduar penalisht nga Policia, pasi ka tentuar që të fusë 19 mijë euro të padeklaruara në Shqipëri nga pika kufitare e Morinës.
Policia njoftoi se “në kuadër të punës policore që kryhet në bazë të analizës së riskut, me objektiv parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në hyrje të Shqipërisë, kaluan për kontroll të detajuar, në vijë të dytë, automjetin tip “Audi A8”, në të cilin ishte pasagjer shtetasi V. B., 44 vjeç, banues në Prishtinë”.
Sipas Policisë, nga kontrolli fizik, atij i janë gjetur 19 mijë euro që nuk i kishte deklaruar në pikën e kalimit kufitar, konform ligjit në fuqi.
“Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 44-vjeçarin, si dhe u sekuestrua shuma e parave”, njoftoi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com