Rama: Vota në 11 maj gjeopolitike, anëtarësimi në BE sot është ekzistencial
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se më shumë se partive politike, fitorja në 11 maj i duhet Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë me ndjekësit në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama tha se vota në 11 maj është votë gjeopolitike.
Kryeministri iu përgjigj një komentuesi, i cili u shpreh se fitorja në 11 maj i duhet vetë atij dhe jo Shqipërisë.
“Nuk e kuptoj se çfarë do të thotë “fitorja të duhet për vete”. Natyrisht që kur dikush është në ndeshje, në garë apo në betejë fitorja është edhe për vete, sepse gjithë vetja është aty. Por fitorja i duhet Shqipërisë në 11 maj më shumë se të gjitha partive, më shumë se çdo individi, sepse në 11 maj është një votë gjeopolitike”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi situatën komplekse në të cilën ndodhet Europa dhe bota, ndërsa shtoi se futja e vendit në BE dhe bashkimi me atë familje të madhe është një çështje ekzistenciale.
“Nuk mund të rrimë veç jashtë. Të jemi delja që e ha ujku. Duhet të futemi aty ku kemi vendin, aty ku kanë dashur ta shohin Shqipërinë të parët tanë nga koha e Skënderbeut dhe deri tani. Ata që ishin idealistë majtas e djathtas, donin një vend që të ishte bashkë me Europën”, tha Rama.
Sipas tij, “sot kjo është ekzistenciale, ndaj kush ka të drejtën të votojë në 11 maj duhet të votojë për Shqipërinë në BE një orë e më parë”.
Fraksion.com