Rama: PS është gjithmonë vetëm zgjuar, punë vullnetare në terren
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, u ndal te puna që po bëjnë strukturat e PS-së në terren duke qenë pranë problemeve të komunitetit.
Duke iu përgjigjur një komentuesi, sipas së cilit Partia Socialiste zgjohet para zgjedhjeve, Rama tha se PS është gjithmonë vetëm zgjuar.
“Bisedat e mia të natës nëpër shtabet tona elektorale në njësitë e Tiranës me siguri e ngatërron me euroatlantikët. PS është vetëm zgjuar dhe jam unë dëshmitar që zgjohem para teje dhe fle pas teje, sepse këtë detyrë kam. Në momentin që nuk do të bëj këtë do të duhet t’i liroj vendin dikujt tjetër”, tha Rama.
Kryeministri u ndal te puna që bëhet në shtabet elektorale të PS-së, ku sipas tij, bëhet punë vullnetare.
“Vetëm për PS-në mos fol për t’u zgjuar dhe për të punuar. Shikoji si janë shtabet elektorale. Kështu është kur i shikon gjërat nga larg ose përmes atyre përfaqësuesve të kënetave politike dhe mediatike në sallonet e mbrëmjes. Duket si mister, por nuk ka asnjë mister. Janë burra dhe gra, vajza dhe djem të të gjitha moshave në punë për PS-në, vullnetarë për PS-në, sepse askush nuk i detyron që të rrinë dhe ta gdhijnë në shtabet elektorale”, tha Rama.
Fraksion.com