AktualitetPolitikëTë fundit

“Paratë janë, por u vidhen shqiptarëve”, Berisha: Shqipëria Madhështore, projekt 100% i realizueshëm

Kryetari i Partisë Demokratike tha sot se Departamenti Brain Gain do të ketë një rol të rëndësishëm në projektin e Shqipërisë Madhështore.

“Departament i përbërë nga burra, gra, djem dhe vajza, nga të rinj atdhetarë, të përkushtuar, të cilët kudo që janë kanë frymëzim dashurinë e tyre për vendin, dëshirën e tyre që dihet që kanë përfituar eksperiencat, t’i vënë në shërbim të vendit të tyre. T’i vënë në shërbim të PD-së”, tha Berisha.

“Por është në meritën e madhe të Andi Mustafajt, drejtuesit të tij dhe të gjithë anëtarëve të këtij departamenti që e shndërruan atë me përkushtimin, ekspertizën në një departament të vërtetë Brain Gain, për PD-në dhe shoqërinë shqiptare”, u shpreh Berisha.

Berisha shtoi se “duke shprehur mirënjohje të pakufishme ndaj tyre, i garantoj se në udhëtimin e saj, PD beson dhe është e vendosur që ata të marrin rolin që meritojnë, rolin që shqiptarët presin nga të rinjtë dhe të rejat e shkolluar, bijtë dhe bijat e tyre të mirëshkolluar, që do vijnë dhe do punojnë për të ndihmuar në projektin më të mirë që shqiptarët kanë pasur ndonjëherë para tyre, projektin e Shqipërisë Madhështore”.

Berisha tha po ashtu se kush do që të kuptojë programin e PD-së për Shqipërinë Madhështore, të lexojë dy veprat themelore të këtij departamenti, ‘Punët e Mira të PD’ dhe ‘Librin e Zi’ të regjimit të sotëm.

Berisha tha se “cilido që lexon librin e këtij departamenti për punët e mira të PD-së, e kupton se projekti i Shqipërisë Madhështore është një projekt në duart tona”.

Berisha nënvizoi se Shqipëria Madhështore është një projekt 100% i realizueshëm.

“Cilido që lexon Punët e Zeza të këtij regjimi, e sheh se paratë janë, por u vidhen shqiptarëve, u plaçkiten shqiptarëve, nuk u jepen shqiptarëve”, shtoi Berisha.

“Pra, në pamje të parë duket sikur kemi propozuar një projekt të largët. Në fakt është një projekt 100% i realizueshëm. Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se ato para janë të tyre, nuk dalin nga xhepat tonë, nuk dalin nga kontot e qeveritarëve, jo, janë të gjithë paratë e djersës dhe mundit të tyre që i paguajnë taksa”, u shpreh Berisha.

Departamenti Brain Gain u krijua në tetor 2022, pas lëvizjes së ‘Foltores’ dhe procesit të rithemelimit të Partisë Demokratike./atsh

 

Fraksion.com