“Kur s’të vlerëson shtëpia, ta di kimetin komshia”, Dash Sula i përgjigjet Berishës dhe Ramës: Nuk përjashtoj asnjë alternativë, por…
Kur një derë mbyllet, një tjetër hapet.
Siç duket se po ndodh me Dashnor Sulën. Deputeti i PD i mbetur jashtë listave në një reagim të parë të dhënë për Top Channel njofton se nuk do të angazhohet politikisht në fushatë me asnjë parti, por grumbullin e ofertave që ka marr po i shqyrton për pas 11 majit, mes tyre nuk përjashton dhe atë të Partisë Socialiste.
“Luan kartën që kur s’të vlerëson shtëpia, domethënë që të vlerëson komshia. Kur ta di komshia, sta di shtëpia. Pra e ke brenda shtëpisë dhe nuk ia di kimetit, por ta di komshia, kjo pastaj nuk është faji im. Është faji i shtëpisë që më mbylli derën, faji i Berishës që nuk vlerësoi kontributet e mia dhe është meritë e kundërshtarit që mi njeh vlerat që bënë të mundur të tërheq të zhgënjyerit”, tha Sula.
Ftesën e Edi Ramës po e merr në konsideratë, por kushtit të tij i përgjigjet me një tjetër kusht duke treguar vijën e kuqe në rast pranimi.
-Kujt i përket tani Dash Sula?
“Asnjë alternativë nuk përjashtoj por e kam të panegociueshme lirinë time si individ politik”, tha ai.
Pendimit të Berishës, Dash Sula nuk i zë besë. Shfaqet i lënduar me familjen e tij politike që veprat sipas tij i ka ndryshe nga fjalët.
“Deklaratat publike të zotit Berisha nuk janë të vërteta. Kanë vendosur të më ndërpresin karrierën politike. Nuk më përfshinë as në listat e mbyllura as të hapura. Dhe rezultati nuk do jetë i dëshiruar më 11 maj. Jo vetëm humbëse por më shumë se humbëse. Fatkeqësisht me trishtim e them”, tha Sula.
Mosndjekja e liderit në çdo hap e mendim, për Dashin janë arsyet që po i kushtojnë humbjen e mandatit e deputetit për legjislaturën e ardhshme. Mirëpo, loja me listat e PD-së dhe emri i tij i munguar në to do të sjell për demokratin faljen e mandatit të katërt te socialistët.
Fraksion.com