“Gjuhë bullizuese ndaj opozitës”, Rama: Unë nuk përdor skandale etike në komunikim për t’iu drejtuar kundërshtarit politik!
Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se gjuha e përdorur ndaj opozitës nuk është bullizuese, përkundrazi, asnjëherë nuk ka sharë familjarët e kundërshtarëve apo të përdorë skandale etike në mënyrën se si u drejtohet kundërshtarëve politikë.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili i shkruan të fokusohet në programin e tij dhe të mos bullizojë kundërshtarin.
“Çfarë do të thotë “mos bullizo kundërshtarin”? Se dhe kjo është interesante. Ka ca që më shkruajnë: “Po çfarë kryeministri je ti, po si merresh ti duke nxjerrë ata bufat, po si flet ti?” Po çfarë të them unë? Unë nuk i them kundërshtarit as kriminel, nuk i them as hajdut, nuk i them as vrasës, nuk i them as bandit, nuk i them as kapobandë, nuk i them as narkoman, nuk i them unë fare këto. Këto janë përtej bullizmit, këto janë skandale etike, këto janë turpe me kanun, me ligj e me zakon. Unë nuk i përdor këto. Unë nuk hyj te familja e kundërshtarit. Më keni dëgjuar të shaj ndonjëherë familjarët e kundërshtarëve? Kurrë! Asnjëherë!”, tha Rama.
Por, Rama tha se atë që sheh e ndan me qytetarët. “Kur shoh një buf kënete, unë them është buf kënete. Kur shoh kënetë, ju them është kënetë dhe kjo është një mënyrë e sintetizuar për të përmbledhur esencën në raport me çfarë duhet të shohim. Po tani bufit buf do t’i themi. Çfarë bullizmi, si bullizim?! Buf dhe çfarë bufi! Kënetë dhe çfarë kënete! Insekt dhe çfarë insektesh! Helm dhe çfarë helmi! Llum e çfarë llumi”, shtoi ai.
I pyetur se përse i përgjigjet vetëm Partisë Demokratike, Rama tha se ai flet vetëm për kënetën.
“Unë i përgjigjem veç PD? Unë nuk i përgjigjem PD fare, unë s’di ku është PD. Unë as përgjigjem, flas për kënetën: Aleanca për kënetën madhështore. Dhe jam shumë i prekur që Kujtim Gjuzi që posedon të vetmen gjë madhështore që ka në atë aleancë, mustaqet e tij, është lënë mënjanë dhe patjetër jam ndjerë keq kur kam parë Selami Jenisherin i cili e ka denoncuar koalicionin me fjalët më të rënda dhe është shkëputur prej tij”, tha Rama.
Sipas tij, është e pashmangshme të mos përmenden këta, sepse PS me këta po garon.
“Këta i janë qepur Shqipërisë këmba-këmbës, ka që në vitin 1912, ndryshojnë vetëm fytyrën, ndryshojnë emrin, ndryshojnë temat por është e njëjta kënetë. Është e njëjta specie që e përndjek Shqipërinë dhe me të cilën do të mbyllet filmi në momentin që do të hyjmë në BE”, shtoi ai.
Fraksion.com