AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

DW: Ashpërsohen tonet mes Kosovës e Serbisë

Pas nënshkrimit të aleancës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës e Kroacisë, ashpërsohen tonet mes Beogradit e Prishtinës. Kosova e dënon reagimin e Serbisë si agresiv.

Beogradi dhe Prishtina ashpërsojnë retorikën pas nënshkrimit të deklaratës për aleancë ushtarake ndërmjet Kosovës,  Shqipërisë  dhe Kroacisë.  Deklarata u nënshkrua dy ditë më parë në Tiranë ndërmjet ministrave të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, atij të Kroacisë, Ivan Anušić, dhe ministrit kosovar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Të tre ministrat thanë se synimi i kësaj aleance mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe theksuan se aleanca nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.

Deklarata për aleancë ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar në Tiranë ka për qëllim “promovimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike, si dhe ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin euro-atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale. Për t’iu bashkuar kësaj aleance është ftuar edhe Bullgaria, duke e bërë këtë aleancë të parën të këtij lloji në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministria e Jashtme serbe flet për provokim

I menjëhershëm ishte reagimi i Serbisë përmes Ministrisë së Jashtme, e cila e konsideron “provokim” marrëveshjen për aleancën ushtarake të nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Në reagimin e saj, Serbia thotë se “do t’u dërgojë kërkesë urgjente ministrive të jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë, duke kërkuar shpjegim të detajuar.”

“Me këtë marrëveshje, këto dy shtete, së bashku me përfaqësuesin e paligjshëm të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, kanë ndërmarrë hapa që dëmtojnë stabilitetin rajonal. Serbia, si një shtet që garanton paqen dhe neutralitetin ushtarak në Ballkan, me të drejtë kërkon përgjigje mbi natyrën dhe objektivat e këtij bashkëpunimi në fushën e sigurisë,” thuhet në reagimin e Beogradit zyrtar, duke shtuar se “Serbia e sheh si fakt shqetësues pse kjo aleancë ushtarake është formuar pa asnjë konsultim me Beogradin.”

“Serbia pretendon se armatosja e njëanshme dhe bashkëpunimi ushtarak me struktura të paligjshme në territorin e Kosovës përbën shkelje të rëndë të rendit juridik ndërkombëtar dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen rajonale,” thuhet në reagimin e Beogradit zyrtar.

Kosova e dënon deklaratën e Serbisë

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës e dënon ashpër deklaratën e Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh në fushën ushtarake Kosovë-Kroaci-Shqipëri. Sipas ministres së jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, deklarata e Serbisë “nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit”.

Sipas Gërvallës, “duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën”. “Retorika e Serbisë është e mbushur me tone hegjemoniste, pasi ajo përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria, dy shtete sovrane, të dyja anëtare të NATO-s, me Kroacinë gjithashtu anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe përbën një tjetër shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera,” thotë Donika Gërvalla.

 

Fraksion.com